Serbia, dashur apo pa dashur e gjen veten sërish në mes të një “stuhie” në skenën ndërkombëtare. Si tës mos mjaftonte për të, afrimi i Kosovës drejt Këshillit të Europës, ku pretendon të anëtarësohet, “një elefant i ri është shfaqur në dhomë”, për Beogradin. Bëhet fjalë për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Është pothuajse e sigurt se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do ta shqyrtojë por pyetja është nëse do të ketë vota të mjaftueshme për të miratuar një rezolutë të tillë, e cila nuk është e detyrueshme. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se e ka nisur luftën me dy fronte, për të penguar miratimin e rezolutës, duke kërkuar “ndihmë” tek lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik. Megjithatë, kësaj here gjërat nuk duket se do të jenë të thjeshta.
“Lufta” me dy fronte
Presidenti serb ka lajmëruar se do të udhëtojë së shpejti për në Nju Jork, ku do të përpiqet të parandalojë miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë. “Tashmë po planifikoj të shkoj atje dhe të qëndroj gjashtë, shtatë, tetë ditë, për të biseduar me sa më shumë përfaqësues”, tha Vuçiç, duke shtuar se do të luftojë deri në fund. Sipas tij, miratimi i rezolutës është “i padrejtë”. “Dje morëm konfirmimin nga SHBA se do të lobojnë për një rezolutë në Srebrenicë. Kundër qëndrimeve të tilla do të luftoj qartë, sado i vogël të jem dhe nga një vend më i vogël. Është çështje drejtësie, jo force. Do të luftojmë me guxim dhe fort dhe do të befasohemi me rezultatin”, tha Vuçiç për mediat serbe ditën e djeshme.
“Kutia e Pandorës”
Sakaq, kryeministri në detyrë i Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, thotë se miratimi i rezolutës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë do të hapte “kutinë e Pandorës”. “Ideja ishte që ajo temë të hiqet nga Këshilli i Sigurimit dhe të sillet në Asamblenë e Përgjithshme, e cila, ra fjala, është kundër Kartës së OKB-së dhe ne e theksuam atë”, tha Daçiç. Ai ka thënë se Serbia është për dënimin e të gjitha krimeve dhe se qëllimi duhet të jetë pajtimi reciprok , respekti, e jo të shkaktohen përçarje tani, duke theksuar se për këtë arsye rezolutat e tilla janë miratuar gjithmonë me konsensus. “Janë miratuar vetëm dy rezoluta për gjenocidin. Gjermania nuk u dënua kurrë për gjenocid, por për Holokaustin kundër hebrenjve”, kujtoi Daçiç. Sipas Daçiçit, rezoluta është propozuar në këtë moment për të treguar solidaritet me myslimanët e vdekur në Rripin e Gazës.
Miratimi i rezolutës
Debati për rezolutën duhet të mbahet më 17 prill, në kuadër të pikës “Parandalimi i konflikteve të armatosura”, dhe gjykuar nga mediat, rezoluta do të propozohet nga Gjermania dhe Ruanda, shkruan “Nezavisne Novine”. Procedura për miratimin eventual të rezolutës nuk është e thjeshtë. Sipas rregullave të OKB-së, çdo shtet anëtar i OKB-së mund të propozojë një pikë të rendit të ditës për t’u diskutuar. Kuorumi për punë është një e treta e anëtarëve dhe gjysma kërkohet për vendimmarrje, megjithatë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të përcaktojë që një rezolutë përfaqëson një çështje të rëndësishme, ose më saktë, një shtet anëtar mund të kërkojë që një Rezoluta e mundshme për Srebrenicën do të vendoset me një shumicë prej dy të tretash. e Përgjithshme e OKB-së vendos për të me shumicë të thjeshtë, pra nëse do të nevojiten dy të tretat apo “vetëm gjysma” e votave për adoptimi.
Pasojat për Serbinë
Edhe pse rezoluta eventuale mund të mos ketë pasoja financiare për Serbinë dhe Republikën Srpska, duke pasur parasysh përmbajtjen e saj, pesha politike, morale, madje edhe psikologjike e një rezolute të tillë do të jetë më se e dukshme. Disa media kanë marrë tashmë një pjesë të rezolutës për Srebrenicën dhe, siç thonë ata, pikat kyçe janë caktimi i 11 korrikut si ditë ndërkombëtare e reflektimit dhe kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, më pas për të shënuar këtë datë në të gjitha vendet çdo vit. Rezoluta gjithashtu kërkon që çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë të dënohet dhe që shtetet anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara përmes sistemeve të tyre arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme.