Këshilltari i Lartë i kryeministrit Bekim Çollaku ka deklaruar se Serbia nuk e ka pranuar marrëveshjen për telekom dhe as atë për energji.
“Zyrtarisht konfirmoj se Serbia ka dështuar t'i përmbahet premtimeve të dhëna në takimin e fundit në Bruksel ne nivel të kryeministrave se deri me datën 9 gusht do të pranonte draft-marrëveshjen në fushën e telekomunikacionit. Si përfundim, zyrtarisht nuk ka ende marrëveshje të arritur dhe të gjitha lajmet mediale për gjoja pranimin e marrëveshjes nga Serbia, janë të pavërteta" ka thënë Çollaku.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiç po ashtu ka deklaruar se marrëveshja në mes të Beogradit dhe Prishtinës për telekomin ende nuk është arritur. Ai tha se Beogradi ka ofruar një zgjidhje të re kompromisi dhe se presin një përgjigje të Prishtinës dhe Brukselit.