Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me mosfutjen në axhendën e mbledhjes së Këshillit të Evropës, të anëtarësimit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Osmani shpreh bindjen se Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, por aderimi i saj në këtë organizatë do të jetë vetëm çështje kohe.
Osmani nënvizon se Kosova në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e KiE nuk do të cënojë vlerat demokratike që përbëjnë dhe themelin e republikës.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike. I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut sa më shpejt se sa vonë”, shkruan Osmani.