Shumë ekspertë kanë dhënë alarmin se Rusia po e përdor Serbinë si satelit të saj për të destabilizuar Ballkanin. Mjafton një shkëndijë dhe shpërthen konflikti i armatosur mes Serbisë dhe Kosovës. Por, dje u shuan të gjitha planet e errëta të Moskës dhe Beogradit, pasi NATO u deklarua hapur se do të ndërhyjë menjëherë për çdo sulm të mundshëm nga jashtë për të mbrojtur Kosovën. Vijat e qarta të kuqe u dhanë ditën e djeshme, ku Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s u takuan në Bruksel, në një samit që do të zgjasë 3 ditë. Në një konferencë për shtyp para mbledhjes së rëndësishme, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg nënvizoi faktin se një nga çështjet kryesore do të jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. “Ne kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë për ndarje e shkëputje në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përpjekje malinje të ndërhyrjeve, përfshirë edhe Rusinë.
Së bashku me Përfaqësuesit e Lartë të BE-së, ne do të diskutojmë për të rritur stabilitetin në rajon. NATO ka shtuar tashmë 1000 trupa shtesë në Kosovë. Jemi duke shqyrtuar dhe një rritje dhe prezencë më të qëndrueshme në Kosovë”, tha ai. Stoltenberg tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “ Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”. Në këtë takim mori pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken.
NATO gati të mbrojë Kosovën
Por më i prerë me qëndrimin e NATO ishte ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i cili ka lëshuar një paralajmërim të fortë dje, teksa deklaroi se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n. “Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë. Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Komentet e O’Brien vijnë në një kohë kur NATO-ja po mendon ta shtojë praninë e përhershme në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR. Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, këtë javë në Bruksel. Blinkeni, po ashtu, do t’i përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni të Veriut.
Ndërsa për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, foli edhe Stoltenberg, gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor. Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës në Prishtinë më 20 nëntor, e cila ishte në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa, tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë. “Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.
Kujtojmë se që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë në vitet 90-të, NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e rajonit. Ajo intervenoi në Bosnje dhe Kosovë në luftërat e përgjakshme që shënuan edhe fundin e Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të pavarura. Sot tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Serbia, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë pjesë e aleancës.