Eksperti britanik, njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Westminster, Aidan Hehir ka thënë se automjetet që u panë në pamjet e publikuara ditën e djeshme nga ministri i Brendshëm Sveçla dhe drejtori i Policisë, janë Humvee amerikane.
Eksperti britanik ka shkruar se “departmenti amerikan i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdor këto automjete për të trajnuar terroristë?”.
Makinat duken sikur ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Vuçiq ka shumë për të shpjeguar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha publikuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregojnë terroristët serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Sveçla tha se ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Kosovës dhe se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.
“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç”, tha Sveçla. Pamjet, siç tha ai, dëshmojnë se në drejtim të Policisë pati të shtëna me armë të kalibrave të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.