Ka dështuar tentativa e Bashkimit Europian për të ulur në takim të përbashkët, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç!Pas përfundimit të raundit të parë të takimeve dypalëshe, ishte paralajmëruar mbajtja e një takimi të përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por një takim i tillë nuk u zhvillua. Paraprakisht, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kanë takuar veçmas Kurtin dhe më pas Vuçiçin. Në pamundësi për t’i ulur në tavolinën e bisedimeve, Lajçak dhe Borrel kanë nisur raundin e dytë të takimeve bilaterale me Kurtin dhe Vuçiçin.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se një takim i tillë ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian.“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar, pyeteni atë të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha presidenti serb gjatë një deklarimi për mediat. Ai shtoi se është kthyer tri herë në takimin me Borrell dhe Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë. Vuçiç tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel. Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme.