Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, akuzoi sot Shqipërinë se dronët Bayraktar, që i ka blerë nga Turqia e që janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovës, janë ngritur në ajër për të spiunuar veprimtarinë e ushtrisë serbë në kufirin me Kosovën.
Për këtë çështje u diskutua këtë të mërkurë në një emision televiziv, ku diplomati dhe ambasadori, Sokol Gjoka u shpreh se këto deklarata të Vuçiç janë të stisura vetëm për të justifikuar veprimet e tij në raport me Kosovën.
“Janë vetëm justifikime për veprimet e tyre në raport me Kosovën, por edhe në raport me zhvillimet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, dihet që situata e sigurisë në kontinent është e agravuar për shkak të luftës në Ukrainë, nga ana tjetër edhe ato elementë që janë përfolur kryesisht nga analistë të ndryshëm, por edhe nga politikanë nga vende me peshë, që rreziku i përhapjes së konfliktit edhe në rajonin e Ballkanit duhet konsideruar, mendoj se Vuçiç e ka kapur këtë si element për ta hedhur në fushën e zhvillimeve rajonale.
Problematikat vijojnë të mbeten të hapura, kryesisht me Bosnje-Hercegovinën si rezultat i qëndrimeve të Republika Srbska, natyrisht që me Kosovën po e po. Tashmë kërkon të përfshijë edhe Shqipërinë në mënyrë që t’u japë ngjyrime sa më shqiptare problematikave në rajonin e Ballkanit. Mendoj se shpejt këto qëndrime dhe shpalosje mendimesh nga Vuçiç do të hidhen poshtë me fakte konkrete. Si edhe në rastet e tjera, Vuçiç do të dalë i zhgënjyer”, tha diplomati.