Që prej 2020-ës, kur globi u prek nga virusi Covid 19, qindra studime janë kryer për pasojat e tij. Më i fundit flet për dëmtimin e kujtesës dhe humbjen e përqendrimit.
Nga harresa tek vështirësia për t’u përqëndruar, shumë njerëz që u prekën nga Covid 19 përjetojnë atë që mjekët e quajnë “mjegull truri”.
“E gjitha ka të bëjë me qarkullimin e gjakut”, thonë studiuesit.
Barriera mbrojtëse e trurit vendos se cilat substanca ose materiale hyjnë e dalin nga truri.
“Nëse kjo lëvizje është jashtë ekuilibrit, atëherë mund të shkaktojë ndryshime në funksionin nervor dhe nëse kjo ndodh në rajonet e trurit që lejojnë ruajtjen e kujtesës, atëherë mund të shkaktojë kërdi”, thotë Prof Matthew Campbell.
Studimi i realizuar prej tij e dhjetëra kolegëve të tjerë analizoi mostrat nga 76 pacientë që ishin shtruar në spital me Covid në mars-prill 2020, si dhe 25 persona përpara pandemisë.
Ndër gjetjet e tjera, ekipi zbuloi se mostrat nga 14 pacientët Covid të cilët vetë-raportuan “mjegullën e trurit” përmbanin nivele më të larta të një proteine specifike krahasuar me pacientët me Covid pa këtë simptomë, ose njerëzit që nuk ishin prekur nga virusi.
Kjo proteinë prodhohet nga qelizat brenda trurit dhe normalisht nuk gjendet në gjak, ndaj këta pacientë rezultuan të kishin një prishje të barrierës gjak-tru.
Puna e mëtejshme në një nëngrup pjesëmarrësish zbuloi se pacientët me Covid shoqëruar me mjegull të trurit gjithashtu treguan shenja të rritjes së niveleve të proteinave të ndryshme.
I gjithë koncepti se shumë nga këto kushte neurologjike, duke përfshirë mjegullën e trurit, mund të trajtohen thjesht duke rregulluar barrierën gjak-tru është vërtet emocionues, thotë studimi.
Por ai shtoi se rezultatet vijnë nga pacientët që kishin Covid në valën e parë, që do të thotë se është e besueshme, por e paqartë nëse të njëjtat mekanizma ndodhin tek të tjerët, siç janë ata me variante të mëvonshme të virusit, ose që janë vaksinuar.