Nga Adriatik Balla
Europiani ka regjistruar disa rekorde këtë edicion, në fazën e grupeve, ku në listë ka dhe lojtarë shqiptarë si Bajrami, Ramadani e Strakosha. Por duket se surpriza më e madhe e këtij Europiani ëhstë Gjeorgjia, skuadër e cila para nisjes së kampionatit llogaritej si më e dobëta. Në fakt, Gjeorgjia u kualifikua në grupin F, duke shkuar më tej si vend i tretë më i mirë. Ndërkohë, Xheorxh Mikautadze është sulmuesi më i mirë i fazës së grupeve të Euro 2024. Gjeorgjiani vjen nga një vit për t’u harruar për sa u përket paraqitjeve dhe rezultateve. Pas gjashtë muajsh tek Ajaksi, ku lamtumira e tij u pa si një çlirim nga tifozët, kaloi gjashtë muaj të tjerë te Metz, ku pavarësisht se bëri shumë mirë, nuk arriti të shmangë rënien e ekipit të tij. Ku do ta shohim pas këtij turneu? Diçka me siguri do të lëvizë për sa i përket tregut. Niko Uilliams është sensacioni i Spanjës, që ka shkëlqyer deri tani, dhe nuk është rastësi që klubet angleze po kthehen me vendosmëri drejt anësorit të Bilbaos, që ndryshe nga vëllai i tij, që zgjodhi të përfaqësonte Ganën, është vënë në dispozicion të vendit ku ka lindur. Ndoje nga Bolonja ka bërë shumë mirë, është në formë fantastike dhe një nga lojtarët më të rrezikshëm në ndeshjen Zvicër-Itali. Mungojnë deri më tani Kilian Mbape, Herri Kejn, Kristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku. Një nga futbollistët më të mirë në performancën e Gjeorgjisë në këtë Europian është Kviça Kvaratskhelia, që ndaj Portugalisë bëri një super paraqitje. Moment i veçantë, i fiksuar edhe nga kamerat e UEFA-s, në përfundim të takimit mes Portugalisë dhe Gjeorgjisë, në raundit e tretë të ndeshjeve në grupe, e përfunduar 2-0 për gjeorgjianët. Sa gjyqtari vërshëlleu për përfundimin e takimit, i gjithë stoli i Gjeorgjisë shpërtheu nga gëzimi dhe u nis drejt fushës për festuar me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa “ylli” i Napolit, Khviça Kvaratskhelia, pas nxitimit të momentit, si të gjithë shokët e tij, u ndal dhe iu afrua Kristiano Ronaldos, me të cilin shkëmbeu disa fjalë. Me siguri, lojtari më i mirë i Gjeorgjisë ka marrë përgëzime nga CR7, por edhe ka prenotuar fanellën e tij, pasi para ndeshjes ishte shprehur: “Unë nuk jam në ankth. Por kjo është diçka për të cilën kam ëndërruar, duke luajtur kundër Ronaldos. Ronaldo nuk luan më në Evropë, por ai është në grupin tonë dhe ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet. Shpresoj të dal nga kjo ndeshje me fanellën e Ronaldos, shpresoj që ai ta ma japë mua”.