Broja në “radarët” e Evertonit, Çelsi i vë çmim final 25 mln paund, Ismajli drejt Beshiktashit turk
Adriatik BALLA
Lojtarët e Kombëtares janë kthyer pranë skuadrave të tyre europiane pasi mbyllën aventurën në Europianin e Gjermanisë. Një pjesë vijojnë të shijojnë pushimet pasi i kanë kontratat afatgjata me klubet dhe në këtë kuadër ndihen të qetë e të sigurt, por ka të tjerë që po negocionojnë bashkë me agjentët e tyre për të ndryshuar destinacion dhe për të kaluar në klube ku të mund të rrisin kreditet e karrierës së tyre. Dy lojtarët që janë në fokus më shumë nga të tjerët janë Armando Broja dhe Jasir Asani, por dyshes së lartpërmendur i është shtuar së fundmi edhe emri i mbrojtësit Ardijan Ismajli. Referuar mediave, mbrojtësi kuqezi kërkohet me forcë nga Beshiktashi turk dhe mund të ketë surpriza në këtë merkato, kurse sulmuesi Broja kërkohet nga Evertoni. Çelsi, klubi që ka kartonin, është gati ta shesë për 25 milionë paund, mjafton që të sigurojë në treg elementët që i ka piketuar që më parë. Situata për të gjithë lojtarët që duan të lëvizin në treg duket premtuese dhe në rrugën e duhur.
Ismajli drejt Beshiktashit turk
“E ardhmja e Ardian Ismajlit mund të jetë në Turqi”, shkruajnë mediat sportive. Beshiktash është skuadra që synon të transferojë mbrojtësin shqiptar, me mediet italiane që raportojnë se drejtuesit e klubit turk që do të takohen shumë shpejtë me Empolin për të nisur negociatat. 27-vjeçari vjen pas një sezoni të mirë në aspektin personal, me Ismjalin që zhvilloi 27 ndeshje me Empolin, por duhet theksuar se në kampionatin e fundit mbrojtësi ”kuqezi” kaloi edhe një periudhë dëmtimi. Sipas burimeve, Beshiktash, klub në të cilin luajnë edhe Ernest Muçi dhe Milot Rashica, është i vendosur për të mbyllur me sukses këtë operacion, për të përforcua repartin e mbrojtjes, një kërkesë e trajnerit holandez Xhiovani Van Bronkhorst. Ismajli ka kontratë me Empolin deri në verën e vitit 2025 dhe në një situatë të tillë klubi toskan do të shqyrtojë çdo ofertë në drejtim të mbrojtësit që ishte gjithashtu i grumbulluar me Shqipërinë në EURO2024, por që nuk luajti asnjë minutë. Tani pritet me shumë interes për të parë se çfarë do të ndodh dhe nëse Beshiktash do t’ia dal të transferojë Ardian Ismajlin.
Broja drejt Evertonit, Çelsi i vë çmim 25 mln paund
Sulmuesi kuqezi me gjasë do të largohet nga Çelsi në këtë merkato vere. Blutë e Londrës e kanë futbollistin në listën e lojtarëve që do të lënë skuadrën, gjatë këtij seksioni merkatoje. Sipas një raporti të fundit nga “The Guardian”, Çelsi shpreson të arkëtojë 25 milionë paund nga shitja e Brojës. Në fakt, interesim serioz ka nga skuadra e Everton, klub i cili është gati të paguajë shifrën e përmendur. Për yllin kuqezi kalimi te Evertoni do të ishte një mundësi për të treguar veten, duke marrë parasysh faktin se ai do të kishte në dispozicion minutazhin e duhur. Broja, pas “shtegtimit” të fundit te Fullhemi që nuk rezultoi e suksesshme, kërkon të nisë edhe një herë nga e para, me shpresën se gjithçka do të shkojë mirë. 22-vjeçari u aktivizua me Shqipërinë në Europian. Ai luajti 77 minuta me Italinë dhe 33 minuta me Spanjën, ndërsa ndaj Kroacisë qëndroi në pankinë.