Holandezët fituan 3-0 dhe siguruan kalimin në 8-shen më të mirë, kurse turqit fituan në darkë ndaj austriakëve me rezultatin 2-1, në një ndeshje të fortë dhe emocionuese deri në sekondën e fundit
Adriatik BALLA
Duelet e fundit në 1/8 e finales u zhvilluan ditën e djeshme, ku pati edhe surpriza të bukura. Nuk munguan golat e bukur e të shpejtë, por edhe befasitë, pasi Holanda u rikthye frikshëm në garë dhe Turqia bëri befasinë e madhe përballë Austrisë. Turqit e drejtuar nga Vincenzo Montela ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-1 ndaj Austrisë, në një sfidë ku hero ishte Merih Demiral. Qendërmbrojtësi zhbllokoi sfidën që në minutën e parë, duke shënuar pas një rrëmuje në zonë saktësisht në sekondën e 57-të, në atë që ishte edhe goli më i shpejtë i shënuar në një ndeshje të fazës me eliminim direkt të Europianit. Në pjesën e dytë Demiral shënoi sërish pas një krosimi nga këndi, duke dyfishuar avantazhin e turqve, por vetëm për 6 minuta, pasi Gregoritsch rihapi sfidën sërish me kokë, pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi. Pjesa e mbetur e ndeshjes ishte vërtetë e luftuar, e hapur dhe me shumë raste, teksa në sekondat e fundit u desh mrekullua e portierit turk Gunok, për të çuar skuadrën e tij në fazën çerekfinale, aty ku do të përballet me Holandën. Kampionati Europian do të rikthehet të premten e 5 korrikut me dy sfidat e para çerekfinale, Gjermani-Spanjë dhe Francë-Portugali, ndërsa një ditë më vonë do të luhen përballjen Holandë-Turqi dhe Angli-Zvicër. Holanda zhvilloi dje një nga ndeshjet më të mira të saj ndër vitet e fundit, duke u dëshmaur se po rritet në rang ndërkombëtar. Kjo pasi Holanda triumfoi 0-3 ndaj Rumanisë, me skuadrën e Koeman që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke dominuar kundërshtarin. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 0-1 falë golit të Gakpo në minutën e 20-të, me 25-vjeçarin që realizoi një gol shumë të bukur nga distanca dhe jo vetëm, por konfirmon momentin e mirë që po kalon pasi ky ishte goli i tretë në këtë Europian. Rezultati mund të kishte ndryshuar nëse Depay dhe Simons do të ishin treguar më të saktë para portës rumune. Në pjesën e dytë, sulmuesi i Liverpool realizoi edhe golin e dytë, por këtë herë, në minutën e 63-të Gakpo ishte në pozicion të parregullt. Gjithsesi, Rumania nuk ia doli të reagonte dhe Gakpo ishte sërish protagonist, këtë herë me një asist për Malen, me ketë të fundit që realizoi golin e dytë në minutën e 83-të. Sulmuesi i Dortmundit realizoi edhe golin e tretë në minutën e tretë të shtesës duke kapitulluar Rumaninë që e mbyll këtu aventurën. Në krahun tjetër, Holanda fiton dhe çon sinjale të forta për rivalët e saj, ndërsa rikthehet në çerekfinalet e Euopianit pas plot 16 vjetësh.