Adriatik BALLA
Kur është mbyllur një muaj nnga zhvillimi i merkatos verore ka befasi në shumë lëvizje që kanë ndodhur. Vëmendjen e kanë marrrë kryesisht lojtarët që shkojnë jashtë, në klube elitare, ndërkohë që ka edhe lëvizje në pankina të ndryshme në Superiore ende pa nisur sezoni i ri.
Albion Rrahmani kërkohet me ngulm nga Bolonja
Bolonja ishte padyshim surpriza më e bukur e këtij sezoni në Serie A, me “Kuqeblutë’, që siguruan me meritë një biletë në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm, mirëpo duket se ky grup i mrekullueshëm që është krijuar te kjo skuadër do të shkrihet gjatë merkato së verës. Tekniku italo-brazilian, Thiago Mota, do të largohet drejt Juventus, ndërkohë që me valixhe gati është edhe Joshua Zirkzee, “ylli” i skuadrës, me “tulipanin” holandez, që pëlqehet shumë nga “Zonja e Vjetër”, por edhe “Djajtë” e Milan, teksa nuk përjashtohen as kalimi në Premier League apo rikthimi te Bajern. Për këtë aryse, drejtuesit e Bolonjës kanë nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij dhe në listën e dëshirave është edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për Albion Rrahmanin, sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, pjesë e Rapid Bukureshtit në Rumani. “Dardani’ ka realizuar plot 19 gola këtë sezon me ekipin kryeqytetas me 23-vjeçarin nga Podujeva, teksa numëron edhe 5 asistime dhe falë këtyre performancave pozitive ka tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme. Benfika e monitoron prej kohësh, gjithashtu edhe Verder Bremen, por jo vetëm, pasi Rrahmani pëlqehet shumë edhe nga Bolonja dhe sipas shtypit italian raporton se dyshja Sartori-Di Vaio po ndjekin me interes goleadorin e talentuar, për të cilin Bolonja do të ishte një destinacion perfekt.
Gripshi prezantohet tek Astana në Kazakistan
Klubi i futbollit nga Kazakistani, “Astana” ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit shqiptar Nazmi Gripshi. Futbollisti 26-vjeçar e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij te skuadra e Ballkanit te Suharekes, ku Astana me te u takua në Ligën e Konferencave të UEFA-s në sezonin 2023/24. Ai luan si mesfushor sulmues dhe mund të luajë si anësor i majtë ose i djathtë. Nazmi ka shënuar 31 gola dhe ka dhënë 25 asistime për skuadrën e Kosovës. Te Skenderbeu shënoi 14 gola dhe 14 asistime. Klubi dhe futbollisti janë dakorduar për një kontratë 2-vjeçare.
Nevil Dede nuk është më trajneri i Elbasanit
Ndërkohë, nuk ka vetëm lëvizje lojtarësh, por edhe trajnerësh, madje ende pa nisur sezoni i ri. Kështu, skuadra e AF Elbasanit, që sezonin e kaluar siguroi biletën e rikthimit në Superiore, ka njoftuar këtë të hënë përmes një postimi në rrjetet sociale se klubi dhe trajneri kanë mbyllur bashkëpunimin. “Njoftim! AF Elbasani dëshiron të njoftojë të gjithë opinionin futbolldashës në Elbasan për ndërprerjen e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit Nevil Dede. Politikat dhe strategjia e klubit nuk u gjendën në vija të përbashkëta kooperimi me trajnerin dhe për rrjedhojë të dyja palët dakordsuan ndërprerjen e kontratës së përbashkët. AF Elbasani i përcjell falenderimet më të sinqerta trajnerit për të gjithë kontributin e dhënë sezonin e shkuar si trajner i skuadrës në përmbushjen e objektivave dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij!”-shkruhet në reagimin e AF Elbasanit.