Në kuadër të grupit E, dje u luajtën duelet e para që prodhuan jo pak surpriza, por edhe gola spektakolarë. Padyshim që futbolli kontinental është bërë më i shpejtë dhe më agresiv, këtë po e dëshmojnë përditë ndeshjet e luajtura në Gjermani-2024, por këtë e vërtetuan edhe duelet në grupin E që patën surpriza në rezultat. Një nga duelet interesante që u luajt dje ishte ajo mes Rumanisë dhe Ukrainës, që përfundoi me fitoren e thellë të rumunëve, edhe pse në letër favoritë më herët llogariteshin ukrainasit. Këta të fundit, me vendin e tyre në luftë ndaj Rusisë, u përpoqën të bënin më të mirën në fushë dhe në fakt ndaj tyre ka një përkrahje të madhe, por rumunët duhet thënë se ishin shumë më lart në këtë takim dhe Rumania kishte bërë një transformim të madh në prag të ndeshjeve të Europianit. Siç dihet, fazën përgatitore e kishte shumë të zbehtë. Por kur erdhi koha, Rumania shfaqi nivel të lartë. Të hënën pasdite në Munih, Rumania e fitoi 3:0 ndeshjen e parë në Euro 2024. Fitoren bindëse rumunët e arritën ndaj Ukrainës, që ishte favorizuar para ndeshjes. Kjo edhe për faktin se Rumania barazoi pa gola me Bullgarinë e Lihtenshtajnin në prag të Evropianit. Në Munih, ku kishin përkrahje të madhe, rumunët shfrytëzuan rastet dhe më pas menaxhuan shumë mirë epërsinë e krijuar. Nikolae Stançiu shënoi supergol në minutën e 29-të për 1:0. Me goditje nga distanca shënoi edhe Razvan Marin në minutën e 53-të. Ndërkohë Denis Dragus e shënoi golin e tretë në minutën e 57-të. Ukrainasit, që po ashtu kishin përkrahje nga tribunat, tentuan, por nuk ia dolën të rrezikojnë fitoren e Rumanisë. Për Ukrainën paraqitja në Evropian ka vlerë më të madhe se për përfaqësueset tjera. Ukraina ende vazhdon të përballet me pushtimin rus. Pas katër ditësh Ukraina luan me Sllovakinë në Dueseldorf, ndërsa Rumania takohet me Belgjikën në Këln. Është një grup me të papritura, pasi nuk ka skuadra favorite, por me fitoren e thellë të arritur dje ndaj Ukrainës, rumunët mund të konsiderohen si skuadra me më shumë shanse për të kaluar grupin. Ajo që spikati në lojën e tyre ishte kualiteti i lartë teknik, zhdërvjelltësia në veprimet sulmuese dhe padyshim disiplina taktike. Përplasja me Belgjikën do të vërtetojë nëse janë skuadra më e mirë e grupit E apo do të rikthehet baraspesha dhe enigma e kualifikimi për më tej.
Vende luksozë dhe poza s*ksi me bikini, destinacionet që kanë zgjedhur Vipat për pushime
Ditët e nxehta të verës kanë mbërritur dhe kush më mirë se VIP-at tanë dinë sesi t’i shijojnë. Jemi të...
Lexo më shumë