Peshëngritja shqiptare po kalon fazën e tranzicionit nga brezi i veteranëve tek brezi i ri. Premtues është sidomos fakti që ka djem dhe vajza të reja midis moshës U-15 dhe U-20 që po radhiten shpejt ndër sportistët më të mirë në Europë për peshën e tyre trupore dhe moshën që kanë. Këtë e dëshmoi më mirë edhe Kampionati Europian i paratërinjve që u zhvillua para pak ditësh në Selanik të Greqisë, e ku Shqipëria bëri një paraqitje të shkëlqyer. “Federata Shqiptare e Peshëngritjes ju bën me dije se në Kampionatin Evropian U15-U17 që u zhvillua në Selanik, Greqi më 15-22 Qershor 2024 morën pjesë katër sportistë të ekipit kombëtar shqiptar, Antonino Mullisi, Samoel Rrasa, Maida Lozi dhe Enkileda Carja. Antonino Mullisi garoi në peshën 73 kg për U15 dhe arriti 111 kg në stilin e shkëputjes duke rrëmbyer medaljen e argjendtë në këtë stil, ndërsa në stilin e shtytjes arriti 137 kg duke fituar vendin e trete me medalje bronzi dhe në total në dygarësh me 248 kg fitoi përsëri medalje të argjendtë duke u shpallur nënkampion Evrope. Samoel Rrasa garoi në peshën 73 kg për U17 dhe arriti 125 kg në stilin e shkëputjes duke fituar medaljen e artë , në stilin e shtytjes u rendit i katërti me 145 kg, ndërsa në dygarësh fitoi vendin e dytë me 270 kg me medalje të argjendtë dhe u shpall nënkampion Evrope. Enkileda Carja garoi në peshën 64 kg për U17 dhe fitoi vendin e parë në stilin e shkëputjes me 86 kg duke fituar medaljen e artë në këtë stil, ne shtytje u rendit e katërta me 104 kg dhe në total në dygarësh arriti vendin e dytë me 190 duke fituar medalje të argjendtë dhe morri titullin nënkampione Evrope. Maida Lozi garoi në peshën 76 kg për U15. Lozi u shpall Kampione Evrope duke fituar tre medalje të arta, në stilin e shkëputjes me 75 kg, në stilin e shtytjes me 95 kg dhe në total në dygarësh me 170 kg. Shqipëria u përfaqësua denjësisht në Kampionatin Evropian për U15-U17 në Selanik, Greqi, duke fituar 10 medalje. Të gjithë sportistët patën një performancë fantastike me rezultate të shkëlqyera. Ekipi kombëtar shqiptar u rendit ndër 3 ekipet më të mira të Evropës”, thuhet në informacionin e pasqyruar nga federata e shtangës.
Qëndrimi i Gjozës
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, i kontaktuar nga gazeta “SOT”, tha dje se performanca që bënë të rinjtë tanë në Selanik, në Europianin e moshave U-15 dhe U-17, ishte spektakolare, premtuese për të ardhmen dhe me shumë medalje që u merituan plotësisht, por që dëshmuan edhe traditën e shkëlqyer që ka peshëngritja jonë në garat ndërkombëtare. “Unë me kënaqësi mund të them se suksesi ishte i rëndësishëm, ishte një triumf shqiptar ky Europian, sepse si tek djemtë dhe tek vajzat ne u përfaqësuam në mënyrën më të mirë, duke u radhitur edhe si ekip në tri vendet e para. Një sukses i tillë historik i jep të drejtën peshëngritjes shqiptare të mburret me rezultatet e saj dhe objektivi ynë për të zëvendësuar brezat është në rrugën e duhur dhe kampionët e mëdhenj do të zëvendësohen me kampionë të rinj që do të bëhen shpejt kampionë të mëdhenj në Europë dhe në botë. Jam i kënaqur me medaljet e fituara dhe për këtë meritat u takojuni sportistëve e trajnerëve që kanë punuar fort dhe meritojnë falënderimet tona”, theksoi Gjozaj.