Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre në Europë, por jashtë Europës njëri futbollist po vuan shumë. Ai është Jasir Asani, i cili muajt e fundit ka marrë vetëm 8 minuta në këmbët e tij, diçka e papranueshme për një lojtar të skuadrës përfaqësuese. Raportet e tendosura të tij me klubin jugkorean kanë ndikuar negativisht dhe mund të kenë pasoja edhe për në Kombëtare, pasi lojtari rrezikon të mos marrë ftesë për në Europianin e Gjermanisë. Ndërkohë, sulmuesi tjetër kuqezi, Rei Manaj, vijon shkëlqimin në Turqi, me Sivasporin. Shumicën e herës shënon, por kur nuk shënon realizon asiste dhe kështu ndodhi edhe herën e fundit. Manaj i ka rritur pritshmëritë për të marrë ftesë nga trajneri Silvinjo.
Jasir Asani i përgjigjet trajnerit në mënyrën e tij
Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Jasir Asani ka qenë në qendër të vëmendjes pas deklaratës së trajnerit të Guangjusë se futbollisti ishte shëndoshur dhe se nuk mund të luante për aq kohë sa ai ishte në sol. Asani iu përgjigj me foto nga palestra ku në pah dukeshin format e tij trupore. Por futbollisti nuk është mjaftuar me kaq teksa ka publikuar dy video në profilin e tij zyrtare. Ai ka ndarë momente nga stërvitja e tij me skuadrën teksa realizon super gola.
Manaj vijon shkëlqimin me Sivaspor
Sulmuesi Rei Manaj ka vazhduar të japë kontribut për Sivasporin në Superligën e Turqisë. Të premten në fitoren 3:1 ndaj Istanbulsporit, Manaj asistoi në golin e tretë. Ndeshja i takoi xhiros së 37-të, përkatësisht të parafundit të elitës turke. Në fund Manajt iu anulua një gol për pozitë jashtë loje, kurse u vlerësua më i miri. Në 32 paraqitje këtë edicion, sulmuesi i Shqipërisë ka 18 gola e tri asistime. ë mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, një nga vendimet e miratuara ishte edhe ai i krijimit të kursit të Drejtorit Teknik, një kurs risi që do të organizohet duke nisur nga muaji qershor nga Departamenti i Edukimit dhe Drejtoria Teknike në FSHF.
Kursi i FSHF për “Drejtor Teknik”
Duke u larguar disi nga legjionarët, duhet të kujtojmë lexuesit se në FSHF po hapet një kurs i ri, kurs për “drejtor Teknik”. Në fakt futbollit tonë i duhej një i tillë, pasi kështu rritet profesionalizmi. Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, në një prononcim për FSHF.org shpjegon rëndësinë e një figure të tillë pranë një klubi, i cili ka si detyrë të drejtojë akademitë e moshave dhe të identifikojë punët, strategjitë dhe talentet e rinj në futboll. “Kur kam ardhur në Shqipëri, Presidenti i FSHF-së më kërkoi që të ndërtojmë një figurë që të drejtojë akademitë e klubeve tona. Dhe kështu, pas një viti pune, kemi menduar, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të krijojmë figurën e ashtuquajtur “Drejtori Teknik“ i Akademive. Ne kemi krijuar kursin e dedikuar për këtë figurë. Një kurs shumë specifik që do të zgjasë 8 muaj dhe që do të krijojë brenda një rruge teknike një figurë që të mund të drejtojë trajnerët përmes një metodologjie, strategjie dhe filozofie për të ndërtuar një talent të ri. Kursi nis më 3 qershor”, thotë Fulvio Pea, i cili tregon se në këtë kurs mund të marrin pjesë të gjithë trajnerët e pajisur me licencën UEFA PRO dhe UEFA A.