Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit luajtën mbrëmë duelin e parë midis tyre në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, një ndeshje që nuk prodhoi fitues, pasi u mbyll në barazim 2-2. Duhet thënë se përplaseshin dy prej emrave më të mëdhenj për klube në futbollin botëror, me eksperiencë në garat ndërkombëtare, por me një ndryshim, që Reali po kalon një superformë këtë sezon, ku është pranë trofeut të titullit në Spanjë dhe natyrisht dëshiron edhe trofeun e Ligës së Kampioneve. Nga ana tjetër, Bajerni ka zhgënjyer në kampionatin dhe në kupën e Gjermanisë, ku është jashtë objektivit për trofe dhe e ka Championsin si shansin e fundit për të shpëtuar nderin e tij këtë sezon. Sa i takon ndeshjes së luajtur mbrëmë, gjermanët shiheshin favoritë për shkak të elementit fushë, por përballë një skuadre me eksperiencë dhe me kualitet si Reali, për më tepër me një trajner rival si Ançeloti i cili është “babai” në Champions, e pati shumë të vështirë. Sa i takon duelit, Bayern Munih dhe Real Madridi dhuruan spektakël me katër gola në gjysmëfinalen e parë të këtij Champions League, por në “Allianz Arena” nuk pati fitues pasi ndeshja u mbyll në barazimin 2-2. Ishin madrilenët që kaluan të parët në avantazh me një gol të Vinicus Junior, me brazilianin që mposhti Nojer me lehtësi. Në fraksionin e dytë, bavarezët përmbysën brenda katër minutash përkatësisht në të 53-tën dhe 57-tën me anë të Sane dhe Herri Kejn që realizoi nga pika e bardhë. Por, në të njëjtën formë iu përgjigj edhe Vinicius me brazilianin që me 11-metërsh vulosi rezultatin përfundimtar 2-2. Kështu, pas një jave në Santiago Bernabeu gjithçka është e hapur dhe do të luhet deri në fund për një biletë në finalen e një qershorit në “Wembley”. Kuptohet, rezultati i mbrëmshëm favorizon Realin e Madridit, pasi do të luajë para publikut të tij dhe për më tepër është fizikisht dhe moralisht më lart se Bajerni. Mbetet për tu shijuar e tëra si ndeshje, ndërkohë që sot në mbrëmje do të luhet një tjetër ndeshje në Champions League. Bëhet fjalë për duelin mes Borusias së Dortmundit dhe Paris San Zhermen, në duelin e parë gjysmëfinal midis tyre. Të dy palët kanë deklaruar se luajnë për fitore dhe ndihen në formë. Padyshim që Paris SG ka më shumë kualitete dhe ndihet e uritur për ta fituar trofeun këtë sezon. Në radhët e PSG-së ka shumë lojtarë që bëjnë diferencë, përfshi dhe sulmuesin më të mirë në botë të momentit, Kilian Mbape. Trajneri Luis Enrike ka deklaruar se fitorja në Champions është afër dhe ata do të bëjnë më të mirën e tyre për ta çuar trofeun “veshmadh” në kryeqytetin francez.