Barcelona duket se u ka vënë syrin disa lojtarëve të Mançester Sitit dhe në ditët në vijim merkato në Angli-Spanjë mund të ketë surpriza të reja. Në të vërtetë, prej Sitit po largohen lojtarë me peshë dhe trajneri Pep Guardiola ka vënë duart në kokë ditët e fundit. Humbja e Superkupës me Arsenalin ishte shenjë e rënies së lavdisë së tyre dhe e pathyeshmërisë së tyre që vinte si imazh i krijuar nga suksesi i shumëfishtë i sezonit të kaluar. Kështu, Pas Ilkaj Gundogan e Rijad Mahrez, Mançester Siti po rrezikon ta humb edhe një tjetër yll që kontribuoi në sukseset e jashtëzakonshme të ekipit në edicionin e fundit. Bernardo Silva dëshiron të largohet nga “Etihad Stadium”. Sipas mediumit spanjoll “Mundo Deportivo”, 28 vjeçari ka biseduar së fundmi me trajnerin Pep Guardiola, të cilit ia ka komunikuar vendimin dhe dëshirën e tij. Ish-futbollisti i Monakos dëshiron të transferohet në Kataluni, ku do ta zinte vendin e Osmane Dembeles, i cili është afër transferimit në Paris Saint-Germain. Klubi anglez, ndërkohë, ka vendosur “mur” dhe duket se e ka refuzuar ofertën e parë për futbollistin portugez. Guardiola e ka shprehur publikisht dëshirën e tij për të mos e lënë asnjë lojtar titullar të largohet nga kampioni anglez e evropian. Gjashtë vjet pas arritjes së tij në Manchester, Bernardo Silva mendon se e ka fituar të drejtën të largohet nga klubi për t’u përballur me një sfidë të re. Verën e kaluar, “Citizens” i kishin rezistuar ofanzivës së “Blaugrana” për lojtarin. Ndërkohë, PSG-ja synon t’ia marrë edhe një yll Barcelonës. “Lufta e ftohtë” mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës po vazhdon. Klubi francez, pasi e shfrytëzoi klauzolën për ta transferuar Ousmane Dembelen, dëshiron t’ia marrë edhe një yll gjigantit katalanas. Mediumi spanjoll “Sport” raporton se parisienët ia kanë vënë syrin sulmuesit Ansu Fati, i cili është mjaft i pëlqyer nga trajneri i ri i kampionit francez, Luis Enrike. Në këtë rast, Barçës s’është që s’do t’i kryente punë një shitje eventuale e sulmuesit spanjoll, të cilin e kanë përshkuar lëndimet e njëpasnjëshme në vitet e fundit dhe nuk e kanë lënë t’i tregojë vlerat e tij. Ndonëse lojtari do të preferonte të mbetet në “Camp Nou”, aty ku u rrit si futbollist, gjithçka do të varet nga oferta që do ta bëjë gjiganti i Ligue 1 për të. 20 vjeçarin ndërkohë e do edhe ëolverhamptoni në Angli, por që as këtë opsion nuk do ta preferonte futbollisti ofensiv. Sa i përket PSG-së, klubi francez do të mundohet ta bindë menaxherin e lojtarit, Jorge Mendes, për t’i bindur katalanasit që t’ia shesin lojtarin.
Era Istrefi feston sot ditëlindjen, ja mosha e këngëtares
Besojeni ose jo, Era Istrefi ka festuar ditën e djeshme 30-vjetorin. Këngëtarja ka lindur në 4 korrik 1994 dhe kështu...
Lexo më shumë