Në mesin e qershorit do të startojë zyrtarisht Europiani i Gjermanisë dhe Shqipëria, e cila ka siguruar pjesëmarrjen, do të përpiqet të lërë gjurmë në grupin B, aty ku shorti e ka përplasur me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, konsideruar edhe si grup ferri. Ndërkohë, UEFA ka njoftuar se do të nxjerrë në treg një “dorë” tjetër biletash, kështu që tifozët kuqezi kanë shansin të marrin të tjera bileta për të ndjekur veprimtarinë më të madhe të futbollit kontinental. Përveç Europianit, në verë priten edhe lëvizje të bujshme në merkato, ku nuk do të mungojnë lojtarët shqiptarë. Padyshim që për sulmuesin Broja vijnë lajme interesante edhe në këtë drejtim, pasi ai pëlqehet në kampionatin elitar italian, Serie A. Kështu, sulmuesi Viktor Osimhen pritet t’i bashkohet Paris San Zhermen gjatë verës së këtij viti, ndërsa vendin e tij te Napoli mund ta zërë një sulmues shqiptar. Menaxheri shqiptar Serxhio Mezi në një intervistë për një radio italiane ka thënë se Napoli është mes sulmuesit të Shqipërisë, Armando Brojës, dhe sulmuesit të Kosovës, Albion Rrahmanit. “E di që Napoli është i interesuar për Rrahmanin. Për më tepër, kontaktet kanë nisur Brojën. Megjithatë shumë do të varet nga zgjedhja e lojtarit. Broja u kontaktua nga drejtori i Napolit”, ka thënë Mezi. Albion Rrahmani po shkëlqen këtë edicion në Rumani. Ai ka shënuar 17 gola dhe ka bërë 4 asistime në 23 paraqitje. Ai verën e shkuar iu bashkua Rapidit nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2026. Te Rapidi kërkojnë 10 milionë euro për kartonin e Rrahmanit. Më herët është raportuar se për Rrahmanin interesim kanë shprehur edhe Aston Vila, Verder Bremeni e Benfika. Ndërkohë Broja, i cili është i huazuar te Fulhami, me Çelsin ka kontratë deri në vitin 2028. Këtë sezon, pas kthimit nga lëndimi i rëndë, ka luajtur pak minuta.
UEFA nxjerr 100 mijë bileta në shuitje, shqiptarët forcë e madhe
Me finalet e EURO 2024, që do të nisë në më pak se 50 ditë, UEFA do të nxjerrë në shitje një sasi biletash të fundit në orën 11:00, të enjten më 2 maj, të disponueshme për t’u blerë në EURO2024.com/tickets. Biletat që janë në dispozicion do të përfshijnë biletat e ofruara për rishitje përmes platformës zyrtare të rishitjes në mars/prill, bileta të vëna në dispozicion pas finalizimit të konfigurimeve të stadiumeve dhe një numër të konsiderueshëm biletash me pamje të kufizuar me çmime më të ulëta. Shitjet e minutës së fundit do të zhvillohen në bazë të prioritetit të aplikimit, derisa të shiten të gjitha biletat, dhe ky është shansi i fundit për tifozët që të blejnë bileta për të ndjekur ndeshjet e EURO 2024 në stadium. Ashtu si me fazat e mëparshme të shitjeve, biletat pritet të shiten shumë shpejt, veçanërisht për ndeshjet me kërkesa të larta, siç janë ndeshjet që përfshijnë vendin pritës Gjermaninë ose vetë finalen. Në total, do të nxirren në shitje më shumë se 100,000 bileta. Nëse do të ketë bileta të mbetura të disponueshme gjatë përgatitjes se turneut final, do të bëhet një lajmërim në EURO2024.com/tickets. Për informacion rreth shitjes së paketave zyrtare të mikpritjes EURO 2024, vizitoni 2024-hospitality.com.