Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është pranë rinovimit të kontratës me trajnerin brazilian Silvinjo, pasi beson se tekniku do ta kualifikojë Shqipërinë në Botëror në vitin 2026. Në fakt, FSHF është e kënaqur me punën që e ka bërë selektori Silvinjo. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë dhënë televizionit “Klan” mbrëmjen e dy ditëve më parë, foli për situatën me trajnerin brazilian dhe për mundësinë që të vazhdojë rrugëtimi i përbashkët me synim të qartë kualifikimin në një garë edhe më prestigjioze sesa Evropiani. “Ne jemi të kënaqur me atë çfarë ka bërë trajneri Silvinjo dhe i kemi ofruar rinovimin e kontratës për dy vite të tjera, synimi kryesor është kualifikimi në Botëror”, deklaroi Duka.
Rrëfehet Mavraj: Shqipëria mund të kalojë grupin
Në një intervistë që dha për gazetën “Koha” në Prishtinë, ish-mbrojtësi kuqezi Mërgim Mavraj theksoi se arma e shqiptarëve në Europianin e Gjermanisë do të jenë tifozët. “Arma e shqiptarit është gjithmonë shqiptari vetë. Kudo ku kemi luajtur, në Norvegji, Francë apo Shqipëri, gjithmonë tifozët kanë qenë armë e fortë e jona. Na kanë shtyrë për të dhënë maksimumin. Ndaj Francës, më shumë sa kujtoj ka pasur shqiptarë. Prandaj forca jonë kanë qenë tifozët. Mund të ketë rol kyç, ku mund ta bëj diferencën. Kemi shumë shqiptarë në Gjermani, Austri dhe në rrethinë, por shpresoj se kanë gjetur bileta”, tha ai. Në lidhje me mundësitë e një kualifikimi të mundshëm, Mavraj shtoi se nëse Shqipëria e kalon grupin nuk do të jetë befasi, pasi ajo tani nuk është skuadër e panjohur. “Unë besoj se tani nuk ka më befasi. Ata që e njohin futbollin, emri i Shqipërisë nuk është më i panjohur. Nuk e konsideroj befasi nëse Shqipëria kalon grupin. As Italia, as Spanja nuk e kanë treguar forcën si kanë qenë dikur. Nuk na intereson në qershor si kanë qenë në vitet 2022, 1998. Janë 90 minuta që mund të ndodhë gjithçka dhe duhet të jemi maksimalisht të përgatitur. Lojtarët luajnë në klube dhe kampionate të mira. Kanë cilësi dhe kanë dëshmuar që bashkëpunojmë mirë. Spanjollët, italianët dhe kroatët e dinë këtë. Nuk do të ishte befasi nëse e mund njërën nga këto skuadra. Kanë ndryshuar gjërat”, shtoi ai. Më pas Mavraj komentoi se më pozitat e sotme, cilën përfaqësuese do të zgjidhte, Shqipërinë apo Gjermaninë. “Është pyetje e fortë. Është pyetje e thellë. Si lojtar ambicioz, është gënjeshtër nëse them që titulli nuk ka vlerë. Por në aspektin njerëzor, kemi arritur të gjithë objektivat që i kemi pasur në jetë, por pastaj, dita pas arritjes. Jeta faktikisht nuk ndryshon. Arritja është një lehtësim. Ndjenja për të luajtur për Shqipërinë, nuk e di gjithkush e përjeton ndryshe, është çështje individuale, por mua çështja e himnit para ndeshjes është vështirë. Janë disa gjëra që nuk përshkruhen me fjalë. Edhe kjo është diçka që njeriu është gati të sakrifikoj gjithçka për këto ngjyra. Përjetimi i himnit është diçka e papërshkruar. Por, normalisht se çdo lojtar luan për të fituar ndonjë trofe”, përfundoi ish-mbrojtësi kuqezi.