Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi të premten Flamurin Kombëtar Ekipit Shqiptar që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat e 18-ta Mesdhetare "Mersin 2013", që do të zhvillohen më 20-30 qershor në Turqi. Presidenti Nishani, duke vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti, nënvizoi se sportistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për trashëgiminë e vendit në kulturë dhe sport, por dhe për përgatitjen e tyre sportive në përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë në këtë kompeticion ndërkombëtar. "Jam i sigurt që do ta përfaqësoni me dinjitet emrin e Shqipërisë, të sportit shqiptar, flamurin kombëtar", u shpreh Presidenti në përshëndetjen e tij, duke i uruar sportistëve të Ekipit Shqiptar të kthehen në Shqipëri me sa më shumë medalje e vende nderi në Lojërat Mesdhetare "Mersin 2013". Flamurin Kombëtar e mori në dorëzim sportistja Anxhela Kashari, e cila në emër të delegacionit shqiptar në Lojërat e 18-ta Mesdhetare, premtoi se do të japin maksimumin për të përfaqësuar sa më denjësisht kombin. Në këto Lojëra, Shqipëria do të përfaqësohet me 75 sportistë, të ndarë në 14 disiplina sportive.
Ambicia/ Synohen medalje në peshëngritje, atletikë e mundje
Shqipëria do të marrë pjesë në Lopjërat Mesdhetare të Mersinit me një delegacion të madh sportiv, që shkon në afro 10 vetë. Natyrisht që një pjesë e disiplinave vetëm do të prezantohen me sportistë pasi ambiciet në rezultate mungojnë, nisur dhe nga dobësia e këtyre sporteve në vendin tonë. Por në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, janë të bindur se peshëngritja, atletika e mundja mund të sjell.in medalje. Në atletikë shpresat janë te Luiza Gega, e cila në 800 dhe 1500 metër është një nga më të mirat e Ballkanit dhe realisht shpresohet për medalje. Në peshëngritje janë dy djemtë, Briken Çalja e Daniel Godelli që luftojnë për medalje, e po ashtu dhe Shtangistja Romela Begaj që garon në peshën trupore 58 kg. Sa i takon mundjes shanset janë për Sahit Prizrenin, por edhe mundësit e tjerë janë cilësorë por pretendimet e tyre do të jenë në varësi edhe të shortit. Sportet e tjera nuk kanë ato rezultate që të mund të pretendojnë medalje, megjithëse përgatitjet kanë ditë që kanë nisur dhe secili sportist pretendon të bëjë më të mirën. KOKSH-i ditët e fundit ka pasur probleme kryesisht me peshëngritjen, pasi federata ndryshoi listën e pjesëmarrësve në minutën e fundit,m duke kërkuar përfshirjen e trajnerit Akcani. Pas këmbënguljes së sportistes Romela Begaj, e cila trajnerin e ka dhe bashkëshort, më në fund MTKRS vendosi në bashkëpunim me KOKSH që të futet dhe trajneri, një vendim në fund të fundit i drejtë pasi një sportiste cilësore që lufton për medalje ka arsye të plota të kërkojë të drejtën e saj për të pasur teknikun e saj afër gjatë garave. Duhet thënë së fundmi se delegacioni sportiv këtë herë në Lojërat Mesdhetare është relativisht i kënaqshëm, ndoshta më i madhi i edicioneve të fundit, por ajo që është e papranueshme lidhet me mungesën e investimeve në sporte të ndryshme dhe për sportistët elitarë. Prandaj ne na mungon rivaliteti në shumë sporte kolektive me venet e rajonit. Adriatik BALLA