Xhiro e tretë e fazës së grupeve të Kampionatit Europian Gjermani-2024 nisi mbrëmë me duelet e fundit në grupin A, ku Gjermania u përplas me Zvicrën dhe Skocia me Hungarinë. Ishin duele sa interesante aq dhe emocionuese. Gjermanët mbrëmë po zhvillonin duelin e parë të “vërtetë” në këtë Europian, nisur nga fakti se në dy përplasjet e para që kishin fituar me Skocinë dhe Hungarinë nuk matej forca e tyre e vërtetë, kurse Zvicra ishte rivali i duhur për të matur forcën gjermane. Në minutën e 17-të Gjermania shënoi me Andrih, por goli u ndalua më pas nga sistemi VAR, si i parregullt. Atë që nuk e bëri Gjermania mundi ta realizojë Zvicra, e cila u tregua e saktë në finalizim në minutën e 28-të, ku Ndoje zgjati këmbën më shumë se mbrojtësi gjerman dhe e ktheu topin në rrjetë pas një krosimi nga e majta e sulmit helvetik. Deri në fund të pjesës së parë gjermanët u përpoqën të barazonin, por finalizimi mungoi, pavarësisht se rastet e krijuara ishin të shumta. Në pjesën e dytë gjermanët e rritën shumë forcën sulmuese, por pa mundur të depërtonin si duhet në mbrojtjen zvicerane. Mungoi goli për minuta të tëra, por shpehja që “gjermanët nuk dorëzohen deri në fund” mori vlerë edhe një herë tjetër, pasi Fullkrug barazoi shifrat pothuajse në minutën e fundit shtesë, duke barazuar shifrat 1-1. Ai shënoi pas një krosimi nga krahu i majtë dhe goditi saktë me kokë. Ky barazim e ndihmoi Gjermaninë të mbante vendin e parë në grup, me 7 pikë, ndërsa Zvicra e mbylli në vend të dytë me 5 pikë. Tani gjermanët duhet të mendojnë për sfidën e radhës në 16-she, e cila do të jetë e vështirë, e gjermanët këtë herë duhet të nxjerrin mësimet e duhura nga ndeshja e mbrëmshme me Zvicrën, një ndeshje ku Granit Xhaka bëri një super performancë. Ndeshja tjetër e këtij grupi, e luajtur mbrëmë, ajo midis Skocisë dhe Hungarisë, pritej me mjaft interes për arsye të renditjes si vend i tretë i njërës prej tyre. Ndaj ishte një duel i fortë sepse të dy ekipet luftonin për maksimumin. Duhet theksuar se barazimi nuk ndihmonte asnjë skuadër, ndaj dhe kërkohej fitorja. Pjesa e parë mbyllet barazim 0-0, rezultat që vijoi deri në minutën e 90-të, por në minutën e 10-të shtesë, Hungaria shënon golin e fitores, me anë të Ksoboth, duke shkuar në tre pikë, në vend të tretë, dhe duke shpresuar të kalojë grupin si vend i tretë më i mirë. Pra hungarezët e kanë një shans por duhet të presin edhe rezultatet në grupet e tjera. Skocia e mbylli e fundit me 1 pikë.