Ekipet pjesëmarrëse në Europian po nxitojnë të depozitojnë listat e tyre të lojtarëve, ku Gjermania pritëse ishte e para që e bëri një lëvizje të tillë. Kështu, trajneri i përfaqësueses gjermane, Julian Nagelsman, ka publikuar listën paraprake me 27 futbollistë për Europianin e kësaj vere, listë e cila do të shkurtohet më pas në 26 lojtarë. Bie në sy se 36-vjeçari ka lënë jashtë përfundimisht Goretzkën e Bajernit të Munihut, Humels pavarësisht sezonit me Borusia Dortmund si dhe Julian Brandt po të Dortmund duke i zeruar shanset e tyre për në Europian. Ndërkohë, jashtë është edhe Serge Gnabri që është i dëmtuar dhe e ka humbur Europianin. Sa i takon listës, theksi vendoset te rikthimi i paralajmëruar i Toni Kros që do të rikthehet të luajë në një kompeticion zyrtar me Gjermanisë pas Euro 2020. Ndërkohë, në listën e Nagelsman janë edhe dy lojtarë të cilët nuk kanë asnjë prezencë me kombëtaren si Aleksandar Pavloviç i Bajern Munih dhe Maksimilian Beier, sulmuesi 21-vjeçar i Hofenheim. Gjermania do të luajë dy miqësore para Europianit në datat tre dhe shtatë qershor respektivisht ndaj Ukrainës dhe Greqisë. Ndërsa Europianin do ta startojnë më datë 14 qershor në ndeshjen ndaj Skocisë.
Lista me 27 futbollistët e grumbulluar nga Nagelsman:
Portierë: Oliver Baumann (Hofenheim), Manuel Nojer (Bajern Munih) Aleksander Nubel (Shtutgart, në huazim nga Bajern Munih), Mark-Andre ter Shtegen (Barcelona).
Mbrojtës: Valdemar Anton (Shtutgart), Benjamin Henrihs (RB Leipzig), Joshua Kimiç (Bajern Munih), Robin Koh (Eintraht Frankfurt), Maksimilian Mitelstadt (Shtutgart), David Raum (RB Leipzig), Antonio Rudiger (Real Madrid), Niko Shloterbek (Borusia Dortmund), Jonathan Tah (Bajer Leverkusen).
Mesfushorë: Robert Andrih (Bajer Leverkusen), Kris Fuhrih (Stuttgart), Paskal Gros (Brighton), Ilkay Gundogan (Barcelona), Toni Kros (Real Madrid), Jamal Musiala (Bajern Munih), Aleksandar Pavloviç (Bajern Munih), Leroy Sane (Bajern Munih), Florian Virtz (Bajer Leverkusen).
Sulmues: Maksimilian Beier (Hofenheim), Niclas Fullkrug (Borusia Dortmund), Kai Havertz (Arsenal), Thomas Muller (Bajern Munih), Deniz Undav (Shtutgart, në huazim nga Brighton).