Mesfushori kosovar i Borusias së Munshengladbah, Granit Xhaka pas një sezoni mesatar ndodhet në Prishtinë. Përfaqësuesi kosovar i Zvicrës, sikurse edhe në vitet e kaluara do t’i kalojë disa ditë të pushimi në vendlindjen e tij. 20 vjeçari të martën ishte në stadiumin e Prishtinës, për të hapur kampin “FC Prishtina Junior Camp”. Mesfushori prishtinas duke folur për mediat kosovare, tha se futbolli kosovar po përparon. “Unë që 5-6 vite vijë këtu dhe e shoh se çdo vit futbolli i Kosovës po bëhet më i mirë. E kam pa ekipin e parë të Prishtinës. Jam duke i pa edhe kampet që ia kanë nis t’i bëjnë këtu dhe futbolli po bëhet gjithnjë e më i mirë. Edhe unë vet kam qenë fëmijë dhe iu dëshirojë të gjithë fëmijëve shëndet dhe shumë fat”, ka thënë Xhaka. Ai ka folur edhe për eliminatorët për Botërorin “Brazili 2014”, me theks të veçantë për Kombëtaren Shqiptare. Sipas Xhakës, kuqezinjtë kanë një skuadër mjaft të mirë dhe me pak fat mund të arrijnë kualifikimin për në botërorin e ardhshëm. “Unë kam thënë edhe pas ndeshjes kur ne kemi luajtur kundër Shqipërisë se Shqipëria ka një ekip shumë të mirë dhe një trajner të mirë si De Biazi, një italian që është trajner fantastik dhe ka një ekip të mirë me disa lojtar të rinj. Ne Zvicra, i ikim Shqipërisë më katër pikë, por ishalla edhe Shqipëria do të zë vendin e dytë dhe të shkojë në barazim”, tha Xhaka. i pyetur nëse pikërisht ndeshja Shqipëri-Zvicër vendos fatin e Shqipërisë për në Botërorin 2014, Xhaka tha: “Ne e kemi punë futbollin. Edhe ne kemi gjak shqiptari, por ne duhet të luajmë kundër Shqipërisë. Ne do të jemi në Shqipëri, do të luajmë atje, por ishalla ne e sigurojmë kualifikimin para se të luajmë kundër Shqipërisë. Ne gjatë ndeshjes 90 minuta do të luajmë kundër Shqipërisë, e pas ndeshjes jemi shokë”. Xhaka e ka vlerësuar pozitivisht sezonin e tij të parë në klubin gjerman, Borusia Munshengladbah. Ish-mesfushori i Bazelit, ka folur edhe për të ardhmen e tij. Xhaka e pranon se ka oferta nga klubet tjera, por ai ka vendosur që të mos largohet nga Borusia e Munshengladbah. Kujtojmë se në kombëtaren zvicerane luajnë kosovarët: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi.
Qëndrimi/ Nuk shkoj te Lacio
Mesfushori i Borusias Granit Xhaka, nuk do të luajë tek Lacio. Sipas ‘Bild’ Xhaka nuk e ka menduar largimin nga skuadra duke i cilësuar si te pavërteta lajmet e publikuara ne disa media për largimin e tij drejte kampionatit italian. "Nuk mund të them asgjë në lidhje me të ardhmen time, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Kurrë nuk e kam menduar të largohem nga klubi, gjërat që keni lexuar në gazeta janë të pavërteta" shprehet Xhaka. Duhet than ë se Granit Xhaka, edhe pse nuk ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë, ai mbetet i dashur për fansat e kombëtares, për shkak të daljeve të tij të herëpashershme në favor të çështjes kosovare, shpreh dëshirën që Shqipëria të kualifikohet dhe evidenton vlerat shqiptare. Madje media sportive zvicerane dhe ndërkombëtare e akuzoi atë pas ndeshjes Zvicër-Shqipëri se nuk e shënoi enkas golin ndaj Shqipërisë për shkak të dashurisë për fanellën e kombit të tij, një gjest që edhe mediat italiane e konsideruan të papranueshëm në edicionet e tyre informative qendrore. Gjithsesi, në atë periudhë (shtator 2012), Xhaka tha se nuk kishte mundur të shënonte pasi humbi kontrollin mbi topin. Adriatik BALLA