Një lajm i mirë për Partizanin erdhi dje nga këshilli bashkiak i Tiranës, që akordoi një shpërblim për ekipin e kuq për titullin e sezonit të kaluar, një shpërblim modest po të mendohet shifra e madhe financiare që ka nevojë klubi dhe për më tepër një skuadër e madhe dhe e mirëorganizuar si Partizani që qëndron gjithmonë në pozita pretendimi për titull. Kështu, në një mbledhje të zhvilluar online, për shkak të protestës së opozitës, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar disa vendime të rëndësishme si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre. Mes këtyre vendimeve, ishte një i tillë edhe për klubin e futbollit Partizani. Këshilli Bashkiak miratoi shpërblimin financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023. Sipas vendimeve të mëparshme të Bashkisë së Tiranës, skuadrat e kryeqytetit që fitonin titullin kampion në Superiore, përfitonin 15 milionë lekë. Kjo shumë tashmë do i kalojë klubit të kuq, si shpërblim për sezonin e kaluar, ndërsa e njëjta gjë do të vazhdojë të përsëritet edhe në vitet në vijim për ekipet kryeqytetase që mbajnë trofeun e Superiores në Tiranë.
Silvinjo me sytë nga lojtarët e Europianit
Ndërkohë që Partizani merr shpërblim, duket se në Kombëtare kanë nisur të mendojnë seriozisht për problemin që ekziston rreth formës së disa futbollistëve, pasi nuk kanë minutazhin e duhur në këmbët e tyre. Porta, për të cilën është folur më pak, duket se nuk ka një titullar fiks. Në pikën e parë, Elhan Kastrati vijon të luajë rregullisht, por mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare ia bën të vështirë një vend titullari. Tomas Strakosha mbrojti kuadratin e Kombëtares në miqësoret e fundit, por ato do të ishin minutat e vetme në harkun e tri muajve. Madje në ndeshjen e fundit të Brentfordit, portieri nuk ishte as në stol, megjithatë mbetet favoriti kryesor për të luajtur në Europian, edhe pse i duhet të fitojë garën me Etrit Berishën që vijon i dëmtuar prej një muaji. Gjithsesi arma e fortë e tij është eksperienca pasi tek Empoli e shohin si portier të dytë 35- vjeçarin. Edhe mbrojtësi Marash Kumbulla ka probleme. Pas një viti Kumbulla nisi një ndeshje si titullar, edhe pse performanca nuk ishte ajo që pritej. Mbrojtësi është ende larg formës së dikurshme kur bënte “zap” Levandovskin. Krahas një Gjimshiti lider dhe të pakalueshëm, Silvinjo do të ketë pak punë për të gjetur partnerin e duhur për ndeshjet e Europianit. Ismajli dhe Ajeti kanë treguar paqëndrueshmëri me dëmtimet këtë sezon, duke pësuar dy herë tërheqje muskulore dhe duke humbur një pjesë të mirë të ndeshjeve. Aktualisht të dy nuk luajnë për më shumë se një muaji dhe kanë mbetur vetëm 4 ndeshje deri në fundin e sezonit. Nga ana tjetër është Enea Mihaj i cili po luan në Portugali, por nuk shihet si zgjedhje e parë nga Silvinjo. Pritet të shihet gjendja e Ajetit dhe Mario Mitajt. KY i fundit ka luajtur mesfushor duelet e fundit në Rusi.