Kombëtarja do të luajë nesër në mbrëmje me Norvegjinë në kuadër të xhiros së gjashtë në grupin E kualifikues për finalet e Kupës së Botës Brazil-2014, teksa në kampin kuqezi gjërat po shkojnë mirë dhe optimizmi është shumë i madh. Dje në konferencën e zakonshme për shtyp që zhvillohet në qendrën e grumbullimit në Durrës, dolën të flisnin për mediat mbrojtësi Mërgim Mavraj dhe mesfushori Migjen Basha. Të dy vunë theksin në rëndësinë e këtij takimi, duke premtuar se grupi i gjithi do të japë maksimumin dhe se kanë shpresën madhe se Kombëtarja do ta fitojë këtë ndeshje. Madje Mavraj, ndryshe nga shumë “frikacakë” të tjerë, beson se Kombëtarja është më e motivuar se kurrë për të dhënë maksimumin në këtë taki dhe për ta fituar ndeshjen.
Mavraj: S’e kemi frikë Norvegjinë
Mbrojtësi Mërgim Mavraj dha garanci në daljen e tij të djeshme para mediave, duke shtuar se edhe mungesat e Canës e Lilës në mbrojtje nuk do të ndikojnë për keq, pasi ekipi ka dhe lojtarë të tjerë që luajnë në nivele të larta dhe mund të bëjnë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Mavraj është optimist për fitore dhe nuk harron ta përmendë këtë herë pas here. Harmonia e grupit në lojë dhe dëshira e madhe e të gjithëve, pa harruar mbështetjen e tifozëve të zjarrtë të Kombëtares, janë për Mavrajn faktorë të rëndësishëm që do ta shpien ekipin kuqezi te fitorja. “Për mua personalisht, them se kemi treguar edhe në ndeshjet e tjera që dimë të luajmë mirë. Natyrisht nuk janë problem mungesat, pasi kemi lojtarë të tjerë që do t’i zëvendësojnë si duhet. Edhe në takimet e tjera ne kemi treguar se pësojmë pak gola. Loja bëhet me anë të grupit dhe nuk është vetëm mbrojtja që e nxjerr një ndeshje, por i gjithë grupi i futbollistëve, pra ekipi si një i tërë. Jam optimist për këtë”, tha Mavraj e më pas foli dy fjalë dhe për kundërshtarin, Norvegjinë. “Ne luajtëm ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë dhe fituam, pikërisht atje në fushën e tyre. Pse të mos tentojmë ta fitojmë edhe këtë ndeshje në stadiumin tonë në “Qemal Stafa”. Për mua nuk luan rol se kush mungon te ata. Natyrisht ne luajmë në fushën tonë dhe do të tentojmë të bëjmë maksimumin dhe do të futemi në fushë për të fituar. Për ne është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje shumë të mirë, pak rëndësi ka ndaj kujt luajmë. Në këtë sfidë ne luajmë përballë tifozëve tanë dhe jemi të motivuar”, shtoi Mavraj. Por mbrojtësi, i pyetur për rezultatin ë pritej nga kjo ndeshje, u tregua energjik, duke thënë se e gjithë skuadra dhe ai vetë do të futej në fushë me mision vetëm fitoren. “Nuk jemi këtu në bastore, por në fushë dhe ne luajmë për kombin tonë e para tifozëve tanë. Ne do të luajmë për fitore, çfarë vjen në fund, nuk e di…, e thotë fusha. Ne duhet të jemi të përqendruar, të angazhuar maksimalisht etj, që të arrijmë fitoren. Sa u përket zgjedhjeve në fushë janë probleme të trajnerit”, theksoi Mavraj. Më tej mbrojtësi kuqezi komentoi edhe qëndrimin e norvegjezëve se do të vijnë në Tiranë të bëjnë të pamundurën. “Ata kanë folur bukur, pasi për ta është e pamundur të fitojnë këtu. Ne nuk kemi frikë asnjë skuadër. Kemi vetëbesim dhe futemi në fushë për të fituar ndeshjen. Nuk e kemi frikë Norvegjinë. Secili nga lojtarët futet në fushë për të dhënë maksimumin e për të pasur të qartë idenë që hyhet në fushë për fitore”, përfundoi Mavraj, aktualisht një nga lojtarët tanë më të mirë në fushën e lojës. Adriatik BALLA