Ecuria e mirë e skuadrës tonë kombëtare të futbollit nuk ka kaluar pa rënë në sy të mediave sportive ndërkombëtare, kryesisht të atyre vendeve që janë në një grup me skuadrën tonë përfaqësuese dhe që ashtu si kuqezinjtë tanë dëshirojnë një vend premtues në grupin E kualifikues për eliminatoret e Kupës së Botës “Brazil 2014”. Fitorja me Slloveninë, pas atij zhgënjimi ndaj Islandës që do të mbahet mend për trishtimin që solli në “liqenin” “Qemal Stafa”, solli rikthimin e g rupit në fazën pretendente, ndërkohë që qershia mbi tortë ishte padyshim fitorja në Oslo më 22 mars ndaj Norvegjisë, një trepikësh që e ngjiti automatikisht ekipin tonë kombëtar në vendin e dytë me pikë të barabarta me Islandën, pra nga nëntë pikë se cila. Jo më kot ndeshja e dytë ndaj norvegjezëve që u luajt më 10 qershor në Tiranë mori një vëmendje të madhe, pasi një tjetër fitore e skuadrës tonë mund të sillte kreun e grupit E (të paktën për një ditë). Por në “Qemal Stafa” Shqipëria barazoi me Norvegjinë 1-1, barazimi i parë i saj dhe De Biazit në gjashtë ndeshje të saj në grup. Pa pikë dyshimi, barazimi dhe marrja e një pike përballë Norvegjisë, duke e lënë atë sërish prapa, si dhe ajo që është më e rëndësishmja fitorja e Sllovenisë në Reikjavik ndaj Islandës, bënë që skuadra jonë kombëtare të marrë e vetme vendin e dytë me 10 pikë, por e shkëputur ndjeshëm nga Zvicra që mban vendin e parë me 14 pikë dhe që është favoritja kryesore për t’u kualifikuar në Botëror. Natyrisht që një shans përveç vendit të parë është “play-off”-i, ku një përballje direkte me një tjetër skuadër të vendit të dytë në një grup tjetër mund t’i japë shanse ekipit tonë të shkojë në Botëror. Parë në këtë kuadër, shanset për kualifikim janë të hapur dhe mediat ndërkombëtare, kryesisht ato zvicerane, janë shprehur se Shqipëria ka realisht shanse për të shkuar në “Botëror nëpërmjet “play-off”it, pra duke zënë vendin e dytë. Madje nga të gjitha skuadrat që janë në grup me përfaqësuesen tonë, Norvegjia që është më e forta (të paktën teorikisht), ndodhet dy pikë pas nesh, ndërsa Sllovenia ka vetëm 6 pikë. Islanda që ndodhet më afër ka nëntë pikë, por islandezët, sikurse dhe kuqezinjtë tanë, kanë një short të vështirë. Duke u nisur nga argumentimi i mediave të huaja, si “Blick” zvicerane, “Bild” gjermane etj, Kombëtarja Shqiptare shihet favorite për vendin e dytë jo pse e mban këtë pozicion aktualisht, por se edhe rivalët e tjerë në grup do të kenë përballje direkte mes tyre që të paktën nga forma që po kalojnë skuadrat duket të mos kenë shanse për fitore të njëpasnjëshme, pra i vënë theksin barazimeve. E vetmja që ka shënuar ose fitore ose humbje është skuadra jonë. Po të vëresh me kujdes, ekipi i De Biazit ka siguruar tri fitore, dy brenda fushës e një jashtë saj, si dhe një barazim në fushën tonë. Por ka dhe dy humbje, një jashtë fushe me Zvicrën e një brenda fushës me Islandën. Pikërisht te humbja e Islandës është dhe “mëkati” në gjithë këtë zhvillim, pasi kuqezinjtë duhet të kishin tani 13 pikë dhe ishin krejtësisht në valle dhe për ven din e parë, po të mbahet parasysh fakti se Zvicrën e presim në “Qemal Stafa” më 11 tetor. Referuar mediave ndërkombëtare sportive, Shqipëria ka më shumë shanse se Islanda dhe Sllovenia për vendin e dytë dhe duke parë gjendjen e tanishme të Norvegjisë, që skuadra jonë i mori katër nga gjashtë pikë të mundshme, tregon qartë kapacitetet dhe mundësitë e kuqezinjve për një vend të dytë të merituar. Gjithçka do të varet shumë në këtë ecuri nga dy ndeshjet e shtatorit, konkretisht të dyja në transfertë fillimisht ndaj Sllovenisë e tjetra ndaj Islandës. Sllovenët i kemi mundur në ndeshjen e parë dhe ekipi shkon atje për të paktën një pikë, ndërsa ndaj islandezëve synohen vetëm tri pikët, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtar direkt. Nëse i kalon me sukses, pra nëse ekipi merr minimalisht katër pikë në dy ndeshjet e shtatorit, atëherë vendi i dytë është një objektiv pothuajse i realizueshëm. Adriatik BALLA