Ndeshja Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, do të mbushë sot stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kjo është ndeshja më e pritur e historisë së kombëtares shqiptare e që pritet të jetë edhe më e ndjekura pas takimit Shqipëri-Greqi në vitin 2004. Mësohet se dy ekrane të mëdhenj do të vendosen në pikat më të rëndësishme të kryeqytetit, një te Pedonalja, e një tek sheshi “Nënë Tereza”. Policia ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.
Në një njoftim të saj, policia thekson se gjatë hyrjes së tifozëve në stadium, do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në impiantin sportiv në fjalë të sendeve të ndaluara.
Gjithashtu policia gjatë mesditës do të bllokojë edhe disa segmente rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Duke filluar nga ora 14:00 deri më 24:00 do të bllokohen rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi”, si dhe te Sheshi “Nënë Tereza” deri tek Presidenca.