Gjermania barazoi me Zvicrën mbrëmjen e së dielës, me rezultatin 1-1, rezultat që i dha asaj një pikë, por mjaftueshëm për të mbajtur vendin e parë në grupin A dhe kalimin në turin tjetër. Problemi i gjermanëve ishte mungesa e koordinimit në fushë për të gjetur saktësinë e duhur në aksionet e veta sulmuese, si dhe mbrojtja jo fort e qëndrueshme në duelin me zviceranët. Gjithsesi, goli i barazimit në fund të ndeshjes e shpëtoi Gjermaninë nga kritikat e forta, por nga ana tjetër i ka dhënë shans stafit teknik të punojë për të evituar në sfidat e ardhshme gabimet dhe për të parë forcën e vërtetë të kësaj skuadre, e cila pas ballafaqimit të fundit ka lënë shije të hidhur. Ndërkohë, Niklas Fullkrug ndaj Zvicrës u aktivizua nga pjesa e dytë dhe realizoi golin e barazimit për Gjermaninë. Zvicra të dielën mbrëma ka barazuar me rezultat 1:1, ndaj Gjermanisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në “Euro 2024”. Gjermania dhe Zvicra kanë siguruar kualifikimin në një të tetën e finales. Të hënën, portieri i Gjermanisë Manuel Nojer ka thënë se ishte i kënaqur me zëvendësimet që u bënë ndaj Zvicrës. Ai i ka lavdëruar futbollistët që u aktivizuan nga pjesa e dytë për përkushtimin dhe angazhimin e madh në ndeshje. “Ne nuk ishim aq të mirë gjatë 90 minutave sa dy ndeshjet e para, dhe mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Asnjëherë mos e nënçmoni një ekip, e në veçanti tonën, sidomos me zëvendësimet që ne i bëmë. Lojtarët që u inkuadruan sollën freski në ekip, dhe mendoj se e merituam fitoren si vend i parë në grup”, u shpreh Nojer. Ndërkohë, mbrojtësi i Realit të Madridit, Antonio Rudiger, është lënduar në ndeshjen ndërmjet Gjermanisë dhe Zvicrës. Të hënën gazeta gjermane “Bild”, ka raportuar se Rudiger ka shqetësime muskulore dhe nuk do të jetë e sigurt paraqitja e tij në ndeshjen e parë të fazës nokaut. Toni ka një problem të vogël. Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj se lëndimi nuk është shumë seriozë”, është shprehur selektori i Gjermanisë Julian Nagelsman. Për Gjermaninë mungesë në repartin defensivë do të jetë edhe mbrojtësi i Bajer Leverkusenit Jonathan Tah. 28-vjeçari Tah është pezulluar për ndeshjen e ardhshme, pasi është ndëshkuar me kartonë të verdhë nga gjyqtari kryesor i ndeshjes. Në rast të mungesës së Rudigerit, Naglesman do të duhet që në mbrojtje t’i inkuadrojë mbrojtësin e Dortmundit Niko Shloterbek dhe Robin Koçin e Frankfurtit.