Duelet e kthimit të turit çerekfinal të Ligës së Kampioneve dhuruan mbrëmë emocione të shumta dhe padyshim edhe surpriza në rezultat, duke ndezur një mbrëmje mjaft të veçantë në këtë edicion të kompeticionit më të rëndësishëm të UEFA-s. Në “Kamp Nou” luhej një finale e parakohshme, ku Barcelona priti Paris San Zhermen. Ndeshja e parë midis tyre e luajtur një javë më parë ishte mbyllur me fitoren e katalanasve 3-2. U duk se Barcelona do ta kishte të lehtë, pasi Rafinja, ai që kishte spikatur edhe javën e kaluar me një dygolësh, realizoi për blaugranat në minutën e 12-të. Por një episod jo i këndshëm antisportiv, do ta ndëshkonte Barcelonën. Araujo del me karton të kuq dhe lë Barçën me 10 vetë në fushë. Në kushtet e epërsisë numerike, PSG i shtoi forcat e saj dhe arriti të barazojë në minutën e 40-të me anë të Osman Dembele. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Në pjesën e dytë Barcelona do të vijonte të vuante. 10 minuta pasi kishte nisur ky fraksion loje, si duket nga protestat e shumta, ndodhë që trajneri Ksavi të ndëshkohet me karton të kuq e të lerë pankinën. Paris San Zhermen, e favorizuar nga epërsia numerike, gjen golin e dytë në minutën e 54-t me anë të Vitinjës. Ky gol bëri që Barcelona të hapej dhe të kërkonte edhe ajo surprizën, por zhgënjeu. Kilian Mbape shndërroi në gol penalltinë në minutën e 61-të. Ky gol bëri që Barcelona të stresohej më shumë, kurse PSG të merrte superxhiro. Në minutën e 89-të Kilian Mbape shënoi edhe golin e katërt, duke “vulosur” kualifikimin e PSG në gjysmëfinale. Ndërkohë, dueli tjetër çerekfinal i luajtur mbrëmë ishte ai mes Borusias së Dortmundit dhe Atletikos së Madridit. Ndeshja e parë ishte fituar nga Atletiko 2-1. Dominimi i gjermanëve në pjesën e parë ishte i dukshëm në të gjithë parametrat sportivë, si në kontrollin e topit ashtu dhe me goditjet brenda e jashtë kuadratit, por edhe me pasimet totale apo sulmet e rrezikshme. Në këtë pjesë gjermanët shënuan dy gola, të parin me anë të Brandt në minutën e 34-t dhe Matsen në minutën e 39-të. Në pjesën e dytë Atletiko do të bënte një përmbysje spektakolare të ndeshjes. Si fillim për këtë shërbeu një autogol nga Mats Humels në minutën e 49-të. Për të barazuar shifrat në 2-2 mendoi Korrea që shënoi për spanjollët në minutën e 64-t. U duk se spanjollët do të bënin befasinë, por nuk ndodhi kështu. Në minutat 71-të dhe 74-t Dortmundi shënon dy gola me anë të Fullkrug dhe Sabitzer. Me rezultatin 4-2 mbyllet ky takim dhe Borusia e Dortmundit shkon në gjysmëfinale të Champions League.