Partizani fitoi mbrëmë gjysmëfinalen e parë të “Final Four”, përballë Skënderbeut me rezultatin 1-0 dhe siguroi i pari finale e madhe të formatit “play-off” për titullin kampion në Kategorinë Superiore. Duhet thënë se dueli pati emocione, por atë e dominoi dukshëm Partizani, që fitoi me meritë dhe tani shfaqet edhe si një kandidaturë potenciale për të fituar titullin kampion. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Air Albania” në Tiranë nisi vrullshëm për të kuqtë, që në 15 minutat e para krijuan disa raste shënimi me Skukën, Mba, Hadrojin dhe Rrapajn. Por mbrojtja korçare reagoi si duhet duke mbyllur hapësirat. Skënderbeu do të reagonte vetëm pas minutës së 15-të, ku goditja e Liços devijohet nga muri mbrojtës. Menjëherë më pas Partizani hidhet në aksion, e protagonist bëhet Rrapaj, por gjuajtja e këtij të fundit nuk gjen kuadratin. Në tri rastet pasardhëse, protagonist kryesor është Mbape, një herë vetë e dy herë të tjera Bintsuka, por gjuajtjet e tyre devijohen nga portieri Alia i Skënderbeut. Xhuliano Skuka tenton të prodhojë art me goditjen e tij tip gërshëre në minutën e 33-të, por sfera përfundon jashtë. Në minutën e 34-t ka tension në zonën korçare, ku Skuka merr karton të verdhë për ndërhyrje jo sportive, ndërsa tre lojtarë korçarë ndëshkohen me të verdhë për protesta. Në të 40’ Murataj jep një assist për Bintsukën, por goditja e tij përfundon mbi traversë. Minutat e fundit të pjesës së parë ishin sërish të tensionuara, pasi drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, gati hyri në fushë duke protestuar për vendimet e gjyqtarisë. Pjesa e parë mbyllet në baraziim 0-0, ku Partizani shpërdoroi jashtë mase.
Pjesa e dytë
Atë që nuk e bëri dot në pjesën e parë Partizani e zgjidhi si duhet që në fillim të pjesës së dytë. Kështu, Rrapaj nga e djathta driblon dy lojtarë dhe pason qetësisht në qendër ku Bintsuka me kokë mposht pa shumë vështirësi portierin Alia. Një start i mirë i këtij fraksioni nga Partizani, i cili përballë një kundërshtari që nuk pati shumë cilësi e nerv, arriti ta kontrollonte si duhet fushën e lojës. Minutat në vazhdim Skënderbeu përpiqet të reagojë, por e ka të vështirë të gjejë korridorin e depërtimit dhe i mungon finalizimi. Ndërkohë, për shkak të protestave, drejtori sportiv i Partizanit, Abilaliaj, merr kartonin e verdhë në të 58’. Në mesin e pjesës së dytë Skuka zëvendësohet me Mensah dhe loja sulmuese vijon, por Rrapaj e Mensah nuk gjejnë koordinimin e goditjes finale. Skënderbeu do të bëhej i gjallë në të 69’, por goditja e Liços është tërësisht e gabuar. Dy trajnerët bëjnë zëvendësime për të freskuar grupet. Në të 84’ vjen rreziku i fundit për Partizanin, ku pritja në dy kohë e Qirkos i shpëton “demat” nga ndëshkimi. As pesë minutat shtesë nuk i bëjnë punë Skënderbeut, ndaj Partizani e fiton këtë gjysmëfinale 1-0 dhe siguron i pari finalen e madhe të “Final Four”, duke pasur shanse shumë të mëdha për të fituar titullin kampion. Duhet thënë si përfundim, që Partizani është skuadër e qëndrueshme dhe racionale në veprime, ndaj ka më shumë shanse për trofeun.