Plas çështja e trajnerit të ri te Reali. Largimi i Murinjos u ka sjellë “gojën “ lojtarëve që për tri vite me radhë e patën frikë tmerr portugezin, aq sa kishin frikë të prononcoheshin pasi merrnin ndëshkime të rënda. Me largimin e Hoze Murinjos, mbrojtësi i Realit të Madridit, Serxhio Ramos kërkon nga drejtuesit e klubit “merengues” që të afrojnë një trajner të aftë për ta çuar skuadrën në nivelet më të larta. Sipas lojtarit të kombëtares spanjolle, nuk është një risi që Hoze Murinjo kishte një dobësi për Çelsin dhe Interin, madje ai shton se Premier League është kampionati që i përshtatet më mirë karakteristikave të tij. Gjithsesi, 27-vjeçari nuk e fsheh simpatinë që ka për portugezin si trajner. “Lojtarëve të skuadrës si në nivelin personal ashtu edhe në atë kolektiv, Murinjo u ka dhënë shumë. Mbyllëm një cikël dhe tani duhet të shikojmë përpara. Trajneri i ardhshëm? Unë nuk jam askush për të dhënë këshilla, kjo është punë që e bën dikush tjetër. Mendoj se ka trajnerë të mirë në qarkullim dhe Ançeloti është njëri prej tyre. Ne kemi nevojë për një trajner të mirë dhe për mendimin tim emri ka pak rëndësi”. Në vijim, mbrojtësi u përqendrua te çështja Kasijas, duke u shprehur optimist se gardiani dhe kapiteni i Realit të Madridit do ta rikuperojë sa më shpejt formën e humbur. “Është në gjendje të mirë sepse kohët e fundit ka punuar shumë për t’u rikuperuar sa më shpejt. Lajmi i mirë është se u bashkua me kombëtaren dhe për ne është një kapiten në të gjitha aspektet”. Serxhio Ramos ndodhet i grumbulluar me Spanjën për Kupën e Konfederatave dhe në këndvështrimin e tij ky është një eveniment që duhet shijuar në fund. Në lidhje me një finale të mundshme Brazil-Spanjë, lojtari madrilen u shpreh se gjithçka mund të ndodhë dhe Spanja mund të humbasë, prandaj sipas tij, kjo skuadër duhet të mësohet edhe me humbjen. “Ne jemi favoritet dhe është e paevitueshme që njerëzit të mos e thonë këtë. Gjithsesi unë mendoj se duhet t’i hedhim hapat me radhë për të shkuar deri në finale”. Në fund, Ramos shkëput një mendim edhe për transferimin e Nejmar te Barcelona, duke theksuar se Reali i Madridit do të bëjë gjithçka për ta konkurruar ekipin katalanas edhe pse këta të fundit bënë një goditje të madhe me blerjen e 21-vjeçarit.
Perez rikonfirmohet president
Largimi i Murinjos nuk i prish ëndrrat e Florentino Perez që kërkon të çojë përpara projektin e tij, duke synuar fitimin e La Decimas, këtë herë me një tjetër udhëheqës, Kristiano Ronaldon. i konfirmuar tashmë si president i “Los Blancos” dhe për katër vitet e ardhshëm, pasojë e mungesës së një kandidati në garën presidenciale, numri 1 i klubit madrilene shtrëngon fortë pas vetes fantazistin portugez duke garantuar tifozët se ai do të vazhdojë të mbajë të veshur camiseta blanca: “Tifozët e Realit nuk duhet të jenë të shqetësuar për Kristianon, sepse ai ka dhe dy vite të tjera kontratë, për më tepër që ne dëshirojmë që ai ta mbyllë karrierën e tij me këtë klub. Ne do të përpiqemi të fitojmë La Deciman me Ronaldon, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Perez nuk mund të anashkalonte as një analizë të punës së Murinjos në Madrid: “Ai është një trajner me shumë energji, shumë kërkues por duke parë sesi rrodhën ngjarjet kohëve të fundit besoj se të dyja palët arritëm të gjenim marrëveshjen e duhur. Nuk jam dakord me ata që thonë se Murinjo humbi një betejë në Madrid, ai thjesht u përpoq të jepte më të mirën për skuadrën. Mediat besoj se e kritikuan më shumë seç duhet punën e ti”, tha Perez. Adriatik BALLA