Reali i Madridit përmbysi mbrëmë Bajernin e Mynihut me dy gola në fundin e takimit, duke fituar 2-1 dhe duke u kualifikuar në finale. Në fakt, Reali i Madridit e nisi ndeshjen e mbrëmshme në Champions League me furi të madhe. Minutat e para ishin “zjarr” në “Santiago Bernabeu”, ku në minutën e 5-të Rodrigo mund të kishte shënuar nëse do të kishte saktësi në goditje, teksa Belingham pretendoi edhe për 11-metërsh. Në minutën e 8-të vjen rasti i parë për gjermanët, ku Gnabri ka rastin të gjuajë ose të japë pasim për shokët, por nuk bën asnjërën duke shpërdoruar. Në minutën e 13-të vjen rasti më i mirë për madrilenët, ku topi i devijuar nga Nojer përfundon në shtyllë e më pas zotërohet përfundimisht nga portieri gjerman. Në minutën e 28-të Herri Kejn bën një supergoditje, por sfera devijohet dhe përfundon në korne. Në të 39’ ishte Vinicus Junior që iu afrua ndjeshëm golit, por portieri Nojer duke u zgjatur në ekstrem e shpëtoi Bajernin nga pësimi i golit. Pjesa e parë mbyllet kështu në barazim pa gola, 0-0. Në pjesën e dytë skuadrat e nisin lojën të dyja me forcë, me sulme e kundërsulme të fuqishme që e bëjnë takimin spektakolar. Të dy palët krijojnë raste, por goli mungoi pasi në goditje nuk pati efikasitet. I pari që shënjestroi portën kundërshtare ishte Bajerni, me Dejvis të futur që në pjesën e parë si pasojë e dëmtimit të Gnabrit. Por topi i devijuar nga një mbrojtës përfundon në korne. Me kalimin e minutave Reali vendos sërish diktatin, ku Rodrigo në një rast i afrohet ndjeshëm golit, por edhe goditja e tij një minutë më pas gati përfundon në trekëndësh, por portieri Nojer ishte në një ditë të shkëlqyer. Pas një morie aksionesh të fuqishme të Realit, reagoi Bajerni në të 66’, duke iu afruar golit me Musialën, goditja e të cilit grushtohet nga portieri Lunin. Në minutën e 68-të, në një kundërzbritje të shpejtë të Bajernit, Reali kapet në befasi dhe Devies futet në zonë dhe shkarkon të djathtën e tij duke përshëndetur rrjetën. 1-0 për Bajernin. Në minutën e 71-të Reali barazon shifrat, me një autogol nga bavarezët. Por arbitri, pas konsultimit me VAR, e anolun golin, pasi kishte pasur shtytje në zonë. Gjermanët nisin të tërhiqen, në mbrojtje të epërsisë, kurse madrilenët kërkojnë hapësira për barazim. Por Reali do ta përmbyste ndeshjen në minutat e fundit, me të njëjtin autor, Joselu, që shënoi në rastin e parë pas humbjes së kontrollit të topit nga Nojer, e më pas nga një pozicion i pambuluar që u mendua pozicion jashtë loje. Në rastin e golit të dytë u desh ndërhyrja e VAR-it të konfirmonte golin. Minutat e fundit të takimit ishin dramatike, por bavarezët nuk patën më kohë të bënin më shumë. Fitoi Reali 2-1 dhe siguroi finbalen e madhe, të 1 qershorit në “Uembli” ku do të përballet me Borusian e Dortmundit.