Suksesi i Bajernit të Munihut në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe në Ligën e Kampioneve, u ka dhënë shumë imazh pozitiv dhe privilegje lojtarëve të klubit bavarez, aq sa ata janë ndoshta më të kërkuarit e momentit dhe natyrisht lojtarët që paguhen më shumë. Një pjesë po tentojnë të zgjasin kontratat me klubin, si një plan për vizion afatgjatë në të mirë të karrierës së tyre dhe një ndër ta është dhe francezi Frank Riberi. Mesfushori francez dhe Bajern i Munihut shumë pranë zgjatjes së bashkëpunimit mes tyre. Sipas asaj që bën të ditur shtypi gjerman francezi dhe klubi kanë rënë parimisht dakord për të zgjatur deri në vitin 2017 kontratën, pasi marrëveshja aktuale e Riberi me bavarezët përfundon në vitin 2015. Lajmi gjithashtu është konfirmuar dhe nga vetë futbollisti: “Duhet të hedhim ende firmën por nuk kemi pse të nxitohemi, le t’i japim gjërave kohën e nevojshme”. Riberi pranoi për “Bild” se ndihet shumë mirë për momentin në Munih dhe se po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij: “Gjendem mjaft mirë në këtë skuadër. Nuk kam arsye pse të largohem. Nuk jam ndjerë kurrë kaq mirë sa në këtë periudhë. Këtë vit fituam gjithçka dhe janë kushtet gjithashtu që të përtëritemi dhe sezonin e ardhshëm duke qenë se skuadra tashmë i ka idetë e qarta për atë që bën në fushë”. Ribery luan me Bajernin që prej vitit 2007, kur u transferua në Munih nga francezët e Olimpikut të Marsejës.
Sulmuesi/ Levandovski pranon largimin nga Dortmundi
Robert Levandovski është gati për Bajernin. Sulmuesi polak i verdhezinjve deklaron se ka ardhur momenti që të ndërrojë ambient. Edhe pse ai se përmend asnjëherë emrin e bavarezëve, zërat e kohëve të fundit që e lidhin të ardhmen e tij pikërisht me Bajernin, të bëjnë të mendosh se “Allianz Arena” do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. “Besoj se ka ardhur momenti që të largohem nga Dortmundi. Shpresoj që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt dhe unë të mund të bashkohem me skuadrën e ëndrrave të mia, që këtë verë”. Skuadra e ëndrrave të tij, në këtë rast nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Javët e fundit u fol madje se polaku ka arritur dhe një marrëveshje për transferimin e tij në Munih, por Borusia e Dortmundit po përpiqet të mos lëshojë pe, të paktën nëse nuk merr atë që dëshiron nga Bajerni. Gjithsesi vetë futbollisti pranon se te Dortmundi ka kaluar një eksperiencë unike: “Borusia është një klub fantastik dhe që do ta admiroj e vlerësoj gjithmonë për atë që ka bërë për mua. Jam ndjerë mirë në Vestfali por tani kërkoj një sfidë të re në karrierën time”. Adriatik BALLA