Trajneri i përfaqësueses tonë Xhani De Biazi shfaqi dy ditët e fundit shenjat e para të nervozitetit, që lidhen me tensionin e madh në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme në grupin E kualifikues të përfaqësueses tonë ndaj përfaqësueses norvegjeze. Tekniku italian ka zhvilluar një program stërvitor mjaft taktik gjatë këtyre ditëve, ku rëndësi themelore i është kushtuar repartit të mbrojtjes. E gjitha kjo diktohet nga mungesat e rëndësishme të kapitenit Lorik Cana dhe të mbrojtshi Andi Lila, që të dy të skualifikuar për shkak kartonësh. De Biazi dëshiron të blindojë mbrojtjen për të pasur të paktën të sigurt efikasitetin në repartin difensiv, me bindjen ë skuadra jonë përfaqësuese të paktën nuk duhet të pësojë gol në këtë sfidë. U pa dhe në ndeshjen e parë në Oslo se shënimi i golave të shumtë nga skuadra jonë është gati e pamundur dhe tekniku synon që të zbërthejë lojën në favor të tij me anë të skemave taktike. Për të qenë krejtësisht i mbyllur dhe që të mos rrjedhë informacioni rreth skemave taktike dhe lojtarëve që do të aktivizohen titullar, De Bizi ka bërë naze dhe për gazetarët ditët e fundit, duke mos dashur që ata të ndjekin seancat e tij stërvitore. Në Durrës ka shumë njerëz që interesohen për kuqezinjtë dhe De Biazi e di mirë se në botën elektronike informacioni shpërndahet shpejt dhe nga kjo mund të përfitojnë norvegjezët, të cilët, u ndëshkuan nga skuadra jonë në ndeshjen e parë pikërisht nga disiplinimi taktik dhe skemat taktike. Por norvegjezët interesohen edhe rreth emrave që do të zbresin në fushë dhe prania e gazetarëve, jo në sensin e keq, duke dhënë informacione në media mund të ndihmojë Norvegjinë dhe De Biazit nuk i pëlqen kjo gjë. Është fakt i pamohueshëm që nervoziteti i tij ka lidhje më së shumti me këtë aspekt. Sekreti taktik është tashmë kali i tij i betejës. Ai i njeh pikat e dobëta të Norvegjisë dhe do të përpiqet ta zgjidhë ndeshjen në favor të Shqipërisë duke aplikuar skemat e duhura taktike në fazën sulmuese, si dhe duke detyruar grupin të mbrohet me forca të shumta. Parë në këtë kuadër, vetë De Biazi po lë në-përmjet veprimeve të tij “vulën” se kjo ndeshje është edhe çelësi për të vijuar apo jo ëndrrën për në Botëror. Një fitore na afron me Brazilin, një barazim na mban ende me shpresë dhe një humbje na nxjerr nga shinat. Kështu që De Biazi e di mirë pasojën e rezultatit nga ky takim, prandaj edhe insiston që të bëhet më e mira nga skuadra e tij, duke u thënë lojtarëve se në këtë ndeshje duhet të jepet 150% e mundësive, pra më shumë se sa kapaciteti që ka vetë ekipi.
Qëndrimet/ Bushi e Salihi: Jo eufori, por synojmë fitoren
Hamdi Salihi dhe Alban Bushi janë dy pjesëtarët e vetëm të kombëtares aktuale shqiptare, që i kanë shënuar Norevegjisë në të shkuarën. Goli i sulmuesit shkodran në stadiumin Uleval të Oslos është shumë i freskët në memorien e tifozëve kuqezi, ndërsa menaxheri i kombëtares i ka ndëshkuar norvegjezët në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2000, pikërisht në nëntor të 1998. Që nga ajo kohë Norvegjia dhe Shqipëria kanë ndryshuar shumë. Sipas Alban Bushit nordikët kanë më pak cilësi, ndërsa kuqezinjtë janë përmirësuar sa i përket frymës së grupit. Tifozët kuqezi presin një tjetër mrekulli nga këmbët e Hamdi Salihit, por sulmuesi shkodran me shumë modesti thekson se drejt suksesit të çon vetëm loja në grup. Përtej entuziazmit dhe euforisë që ka përfshirë opinionin sportive në vend, Bushi dhe Salihi theksojnë se një fitore e mundshme nuk është se të siguron pjesëmarrjen në botëror. Shqipëria ka grumbulluar 9 pikë në 5 ndeshjet e para, sikurse Islanda, ndërsa grupi E kryesohet nga Zvicra me 11 pikë. Adriatik BALLA