Një flamur gjigant u shpalos mbrëmë gjatë këndimit të himnit kombëtar të Shqipërisë, në një stadium të veshur me ngjyrat kuqezi dhe ku mbështetja për Kombëtaren ishte spektakolare. Por nuk është vetëm kjo. Duke parë skuadrën tonë përfaqësuese që ishte ngjitur ndjeshëm ndaj rivalëve të saj në grupin E kualifikues dhe ku trajneri Xhani De Biazi kishte grumbulluar gjatë këtyre muajve rreth 40 lojtarë të rinj, entuziazmi në prag të kësaj ndeshjeje ndihej kudo. Kulmi arriti mbrëmë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, që përjetoi një moment historik, një atmosferë me të vërtetë spektakolare e madhështore, që la mbresa madje dhe tek tifozët norvegjezë dhe mediat e huaja të pranishme. Padyshim që skuadra kombëtare nuk mund të quhet e humbur nga ndeshja e mbrëmshme. E para se barazimi është rezultat pozitiv dhe se këtë ndeshje e fituan tifozët, të cilët ende besojnë në ëndrrën e tyre. Ndodhemi në kuotën e dhjetë pikëve dhe në vendin e dytë. Na presin ndeshje të vështira, por futbolli ka të papritura dhe skuadra e De Biazit ka treguar se di të fitojë edhe në fusha kundërshtare. Norvegjia e Oslos më 22 mars e ka pësuar nga ne, mund ta pësojnë dhe Islanda e Sllovenia. Madje, duhet përgëzuar De Biazi që e kuptoi se ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares janë pikërisht dy duelet e shtatorit ndaj Sllovenisë e Islandës, që të dyja luhen në transfertë. Mbrëmë të gjithë pritën fitoren, por fati u buzëqeshi norvegjezëve që dolën të kënaqur me një pikë.
Festa
E gjithë mbrëmja e djeshme ngjante me një festë të madhe, me rrugët e Tiranës të mbushur me spektatorë dhe me ngjyrat kuqezi. Si kurrë më parë “Qemal Stafa” ishte i stërmbushur, ku biletat ishin shitur më shumë se gjysma ditë më parë online. Kulmi kishte arritur edhe në klasën politike, e cila, nxitoi të shfrytëzojë kë to momente për të dalë në pah me dashurinë e tyre për sportin dhe skuadrën përfaqësuese. Në tribunë mbrëmë ishin shumica e politikanëve kryesorë të shtetit, si presidenti Nishani, kryeministri Berisha etj. Policia ishte dje në një gjendje gatishmërie shumë të lartë dhe nga rregullat strikte të vendosura rreth e qark stadiumit kombëtar i acaruan disi tifozët. Mbrëmë nga ndeshja në “Qemal Stafa” ka fituar sidomos çështja kombëtare. Është një traditë tashmë e tifozëve që vijnë nga të gjitha anët që kërkojnë bashkimin e trokeve shqiptare. Portretet e historisë tonë kombëtare ishin mbrëmë në stadium. Nuk mungonin thirrjet atdhetare për bashkim kombëtar, deri te banderolat e bukura me mbishkrimin “E dua Çamërinë”.
Rivalët
Zvicra që është dhe kryesuesja e grupit tonë ndodhet ende në vend të arë me 11 pikë dhe ka shansin sot përballë Qipros që të fitojë e të thellojë diferencën me ndjekësit. Një ndeshje surprizë ishte mbrëmë ajo e luajtur në Reikjavik, ku Islanda që ishte surpriza e madhe e këtij edicioni, humbi në shtëpi ndaj Sllovenisë me rezultatin 4-2. Sllovenët rikthehen kështu në garë për një vend të dytë ose të tretë, ndërkohë që Norvegjia, me pikën e marrë dje në Tiranë ruan ende shpresat për përmbysje dhe për të gjetur të paktën “play-of”-in. Pikërisht “play-off”-in do dhe skuadra jonë kuqezi, pasi mundësitë r realisht janë. Ishte mbrëmë një zhgënjim i vogël, por barazimi ndaj norvegjezëve s’është disfatë, përkundrazi. Adriatik BALLA