Shqipëria zhvilloi mbrëmë në Stamboll një nga ndeshjet e saj më të mira në këto eliminatore, duke qenë pranë fitores, me një numër të madh rastesh për shënim por që u shpërdoruan nga Rei Manaj, ndërkohë që një gafë në mbrojtje, ku portieri Strakosha nuk merret vesh me Ismajlin, bën që ta shfrytëzojnë turqit dhe të shënojnë golin e fitores, një fitore që i çon ata thuajse në Euro-2020, ndërsa humbja e kuqezinjve i nxjerr ata zyrtarisht nga gara e kualifikimit, por jemi ende në valle për vendin e tretë. Lojës së bukur nuk iu përgjigj shënjestra e sulmuesve, por është fakt që ekipi ka përmirësime të dukshme.
Ndeshja
Pjesa e parë u shoqërua nga një tension i madh në fushë, ndërmjet lojtarëve, dëshmuar me ndërhyrje të ashpra, ndërprerje të panevojshme të ndeshjes, faulle të shumta dhe përplasje fizike pa shkak ndërmjet lojtarëve. Gjithsesi, Turqia ishte e dobët në fraksionin e parë të lojës, nuk arriti të koordinohej në mesfushë e as në sulm, ndërsa mbrojtja kuqezi e bëri mirë detyrën. Fakt është se turqit e nisën ndeshjen me vrull dhe tentuan me lojën në krah të zhbllokonin rezultatin, por hasën në rezistencë. Më pas nervoziteti i nxori turqit nga “binarët”, duke ia bërë më të lehtë skuadrës tonë menaxhimin e prapavijës, por edhe të kundërsulmonin rrezikshëm me Cikalleshin e Manajn që ishin rrezik konstant. Duhet thënë se në 25 minutat e para u dhanë 5 kartonë të verdhë, dy për vendasit e tre për tanët, thuajse të gjithë për protesta ndaj arbitrit. Loja u zhvillua kryesisht në mesfushë, por ishte epërsi taktike e trajnerit Edi Reja, me modulin e njohur të tij 3-5-2, që shndërrohej sipas nevojës në 5-4-1 në momentin mbrojtës dhe 4-3-3 në kundërsulm, kurse turqit luajtën me 4-3-3, por edhe skema e tyre nuk ishte stabile. Më së miri nervozitetin e turqve në pjesën e parë e shprehte fytyra dhe rebelimi i kapitenit Emre, që përpiqej të stabilizonte faktikisht të tijtë në fushë. u desh të vinte minuta e 35-të që të kishim një goditje serioze në portë. Memushaj kroson nga e majta e sulmit brenda zonës dhe Rei Manaj me kokë goditi prirët, por topi zotërohet në pozicionin nga portieri turk. Një minutë më pas ishin turqit që rrezikuan, por gjuajtja nga jashtë zonës e Tosun përfundon në duart e Strakoshës. Rasti më i mirë i 45-minutëshit të parë ishte goditja e dënimit e tanëve në 22 metra largësi. Manaj goditi fort në gjysmëlartësi, topi devijohet paksa e në fund grushtohet nga portieri turk e përfundon në korne. Pjesa e parë mbyllet kështu me shifrat 0-0. Në pjesën e dytë kuqezinjtë ruajtën të njëjtën skemë loje, me mbrojtje efikase dhe kundërsulm të shpejtë, por gabimet e Ismajlit dhe Veselit mund të kushtojnë. Një rast i mirë për turqit ishte ai i minutës së 50-të, ku Tufan zbulohet në hyrje të zonës, godet topazi, por Strakosha bën mrekullinë duke e larguar dhe shpëtuar portën nga një gol i sigurt. pas minutës së 50-të loja qetësohet disi, por i gjen tanët në aksion, ku Memushaj dhuron veprime të bukura, por nuk i përgjigjet pjesa tjetër e grupit. Në minutën e 57-të Reja bën zëvendësimin e parë, nxjerr Lenjanin dhe fut Roshin, dukshëm për t’i dhënë impuls lojës sulmuese. Sidoqoftë, rastet mungojnë dhe sulmuesit e të dy ekipeve nuk shënjestrojnë si duhet. Për turqit rast i mirë ishte ai i minutës së 68-të, kur Calhanoglu zbulohet i lirë në hyrje të zonës, gjuan, por pa probleme për Strakoshën. Në minutën e 77-të ishte rasti më i mirë për tanët, pasi Roshi depërton bukur në zonë, por Manaj nuk koordinohet në gjuajtje i vetëm me portën e boshatisur, godet jashtë. I njëjti pati rast ideal edhe në minutën e 82-të, pasi doli i vetëm në zonë, por vonon në gjuajtje dhe i ndërhyjnë mbrojtësit. Dy raste që do të kishin vulosur fitoren në këtë ndeshje. Por Manaj nuk do të ndalej me kaq, ai pati rast ideal goli në minutën e 88-të, por gjuajtja e tij përfundon në duart e portierit turk. Ajo që nuk pritej ndodhi në minutën e 90-të, kur një gafë e portierit Strakosha në dalje, që nuk koordinohet me Ismajlin, bën që të përfitojnë turqit, që realizojnë golin e fitores me anë të Cesk Tosunit. Një fitore që i afron ata thuajse të sigurt në Europian, bashkë me Francën, sepse tani kanë nga 18 pikë, ndërsa Shqipëria mbetet në vend të katërt me 9 pikë dhe praktikisht jashtë Europianit 2020, por ende në lojë për një vend të tretë në grupin H.
Adriatik BALLA