Për të evituar keqkuptimet, kurdisjet, bastet e paligjshme apo ndonjë akuzë konkrete, Federata Shqiptare e Futbollit zbuloi dje kalendarin e ndeshjeve në Kategorinë Superiore për tri xhirot e mbetura të kampionatit nga gara e rregullt e saj, para se të zbatohet formula e re e kampionatit, “Final Four”, e cila do të jetë përcaktuese për fatet e titullit këtë edicion. Natyrisht, një lëvizje e tillë bëhet vetëm për të evituar akuzat dhe për të mos pasur dyshime në garë, por nga ana tjetër u jepet një sinjal skuadrave që të respektojnë “fair play”-in dhe të bëjnë më të mirën e tyre për të përmbushur pritshmëritë në garë. Momentalisht, kampionatin e udhëheq Egnatia me 65 pikë, ndjekur nga Vllaznia me 55 pikë dhe në vend të tretë Partizani me 54 pikë. Këto ekipe janë në garë për titull, ndërkohë që për një vend në Final Four është një skuadër mes Dinamos, Skënderbeut dhe Tiranës, që kanë një diferencë prej vetëm një pike ndërmjet tyre. Natyrisht, pretendente për titullin është Egnatia që ka treguar më shumë cilësi këtë edicion. Madje rrogozhinasit janë në garë për të dy trofetë, pasi kanë mundur të kualifikohen në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku më 14 maj do të përballen me Kukësin. Në fakt, Kukësi, i cili ka zyrtarizuar tashmë rënien një kategori më poshtë. Ka më shumë shanse ta fitojë trofeun e Kupës e të shkojë direkt në Europë, pasi po mendon vetëm për këtë duel. Është, pra, tek ndeshje ku do të luajë të gjithë potencialin e vet, kurse Egnatia duhet të mendohet për secilin rast, si për Kupën, ashtu dhe për duelin e radhës në kampionat, apo dhe ndeshjet e “play-off”-it. Nëse e fiton Kukësi, do të ishte një surprizë e madhe, pasi siguron pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës një skuadër e rënë nga kategoria.
Kalendari
Siç thamë më sipër, FSHF nxitoi të “barazonte” kundërshtarët në garë për të pasur një “fair play” në këto tri javë të fundit të Kategorisë Superiore. Kështu, Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar kalendarin e javëve të fundit në kampionatit “Abissnet Superiore”. Duke nisur nga java e 34-të e deri në javën e 36-të të gjitha takimet do të luhen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar. Ndeshjet e javës së 34-të do të luhen më datë 4 maj në orën 16:00, ndërsa java e 35-të do të zhvillohet e gjitha në mesjavë më datë 8 maj në orën 16:00. Java e fundit e kampionatit të rregullt do të luhet më datë 11 maj po në orën 16:00. Pas përfundimit të javës së 36-të, FSHF do të organizojë hedhjen e shortit për “Final 4” ku do të përcaktohen edhe çiftet gjysmëfinaliste. Të gjitha ndeshjet e “Final 4” do të luhen në stadiumin “Air Albania”. Kjo është bërë për të pasur më shumë tifozë në stadium, ka kushte më të mira dhe padyshim është më i pranueshëm dhe i dëshirueshëm nga tifozeritë e klubeve. “Final Four” mund edhe ta përmbysë Egnatian që mban kryesimin, nëse ajo i humbet duelet me rivalët dhe skuadra që siguron më shumë pikë e merr titullin, por para se të shkohet në “play-off” duhet thënë se tri xhirot që mbeten për tu luajtur nga Superiorja në kampionatin e rregullt kanë shumë rëndësi për ekipet që duna ta thyejnë hegjemoninë e skuadrës rrogozhinase.