Europiani po hyn pak nga pak në duelet e fundit të fazës së grupeve, ku po përcaktohen edhe çiftet e 1/8 e finales së madhe. Mbrëmë në grupin C pati surpriza jo të pakta. Kjo për shkak se të dy ndeshjet përfunduan në barazim 0-0. Ky rezultat mbajti Anglinë në vend të parë por ngjiti në vend të dytë Slloveninë, që me tri barazime shkon në raundin tjetër. Si vend i tretë në këtë grup do të presë një shans Danimarka e cila ka po 3 pikë, me tri barazime në tri ndeshje. Padyshim që anglezët zhgënjyen dhe po vihet në pikëpyetje forca e Anglisë në këtë Europian. Ndërkohë, grupi D solli surpriza të mëdha deri në këtë pikë të Euro 2024, pasi, kur të gjithë mendonin se do të jetë Franca në kryesim, ndodh që ngjitet në vend të parë skuadra që mendohej më pak, Austria, e cila zbret Francën në vend të dytë dhe në një duel direct zbriti Holanfdën në vend të tretë. Austriakët mposhtën “tulipanët” në ndeshjen e tretë me rezultatin 2-3, një sfidë që dhuroi spektakël. Austriakët u barazuan në dy raste nga Holanda, megjithatë në fund goli i Sabitzer mjaftoi për të marrë tre pikët dhe vendin e parë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit, Franca nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Poloninë e eliminuar nga kompeticioni. Gjelat e zhbllokuan ndeshjen në fraksionin e dytë pas një penalltie të ekzekutuar saktësisht nga Mbape, goli i parë në Europianë për sulmuesin. Megjithatë, Robert Levandovski barazoi Francën po nga pika e bardhë, teksa sulmuesi i Barcelonës fillimisht u ndal nga Maignan. Por, penalltia u përsërit dhe aty 35-vjeçari nuk gaboi. Përfundimisht, ndeshja u mbyll në shifrat 1-1 me Austrinë që mori kreun e grupit me gjashtë pikë, Franca e dyta me pesë pikë dhe Holanda me katër pikë në vend të tretë. “Tulipanët” kanë shansin për të kaluar si një nga katër të tretat më të mira, teksa Polonia e mbyll Euro 2024 me një pikë.
Grupi D
Francë-Poloni 1-1
Holandë-Austri 2-3
Austria 6
Franca 5
Holanda 4
Polonia 1
Grupi C
Angli-Slloveni 0-0
Danimarkë-Serbi 0-0
1.Anglia 5
2.Sllovenia 3
3.Danimarka 3
4.Serbia 2