Sikur në Kosovë dhe Shqipëri, Adnan Januzaj, talenti i Mançester Junajtid, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe në Belgjikë, aty ku i ka mësuar hapat e parë të futbollit. Sikurse shqiptarët, ashtu edhe belgët janë kureshtarë të dinë se për cilën përfaqësuese, Shqipërinë apo Belgjikën, do të luajë ish futbollisti i Anderlehtit. Por, sipas Mark Van Geersom, ish trajnerit të përfaqësueses U-18 dhe U-19 të Belgjikës, Januzaj mund ta vesh fanellën e Kombëtares shqiptare. “Deri më sot Januzaj i ka refuzuar të gjitha ftesat për përzgjedhjet e grupmoshave të Belgjikës. Babai i Adnanit do të preferonte për ta parë atë në fanellën e Shqipërisë”, ka thënë Van Geersom për ubfaqen “knack.be”. Megjithatë, deklarimet e Van Geersom mund të mos jenë të sakta, pasi ditë më parë babai i talentit të Mançester Junajtid, Adedin Januzaj, ia ka mbyllur derën ekipit kuqezi. “Askush nuk na ka ftuar nga Shqipëria. Kur të na thërrasin, do t’i refuzojmë. Belgjika mbetet opsion për Adnanin”, kishte thënë Abedin Januzaj, ditë më parë.
Shpërthimi i Januzajt
Ish trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, e kishte transferuar Adnan Januzajn nga Anderlehti në ‘Old Traford’ për 600 mijë euro. Ai impresionoi me paraqitjet e tij, derisa para pak javë është shpallur si lojtari më i mirë i vitit te rezervat e Mançester Junajtid. Po ashtu, talenti nga Kosova ka qenë i grumbulluar në ndeshjen e fundit të Aleks Ferguson me Mançester Junajtid, por nuk ka arritur të debutojë në Premier League. Barcelona e Juventus, pas Januzajt Mançester Junajtid nuk do ta ketë të lehtë ta mbajë Januzajn në skuadër, pasi interesim për të kanë shprehur dy gjigantë të tjerë të futbollit evropian: Barcelona dhe Juventusi.