Nga Adriatik Balla
Shqipëria bëri një futboll të mirë në Europian, por specialistët mendojnë se mund të bënte më shumë, nisur nga fakti se Shqipëria ka një grup mjaft cilësor lojtarësh, të cilët luajnë në klube të rëndësishme dhe kanë potencial teknik të lartë. Natyrisht, shorti ishte i vështirë për Shqipërinë, pasi ra në grup me tri skuadra që ishin pretendente, si Kroacia, Spanja dhe Italia. Në fakt, Shqipëria u largua me kokën lart nga Euro 2024, ku kishte rënë në “Grupin e Vdekjes” së bashku me Spanjën, Italianë dhe Kroacinë. Kuqezinjtë lanë shenjë në eventin që tashmë ka hyrë në fazat me eliminim direkt me golin më të shpejtë në historinë e Europianit dhe barazimin epik kundër Kroacisë, që i mbajti në lojë për kualifikimin në ndeshjen e fundit. Një tjetër statistikë e fazës së grupeve bën protagonist një futbollist shqiptar: sipas Transfermarkt, Ylber Ramadani është futbollisti që ka përshkuar më shumë kilometra në tri ndeshjet e para. Mesfushori i Leçes, pikë shumë e rëndësishme e Shqipërisë së Silvinjos, ka vrapuar në total 37.5 km, duke qenë i pakonkurrueshëm në këtë aspekt. Golashënuesi më i mirë deri tani është sulmuesi i Gjeorgjisë, Mikautadze, me 3 gola, ndërsa dribluese më i mirë francezi Dembele me 22 driblime. Spikat Kristiano Ronaldo në dy aspekte: është lojtari që ka pasur më shumë tentativa drejt portës (12), por edhe ai që është kapur më shumë herë në pozicion jashtë loje (5). Sesko i Sllovenisë është lojtari më i shpejtë, pasi ka arritur shpejtësinë 35.9 km/h, ndërsa Toni Kros i kryeson për numrin total të pasimeve të sakta: 326. Portieri i Gjeorgjisë, Mamardashvili, kryeson me numrit e pritjeve (20), ndërsa mbrojtësi i Sllovenisë, Bijol, është lojtari që e ka spastruar më shumë herë zonën (27).
Rekordet e tjera të Europianit, në listë edhe Nedim Bajrami
Një tjetër fazë emocionuese e grupeve të EURO ka përfunduar dhe një numër rekordesh u thyen gjatë aksionit. UEFA ka shkruar një artikull për të gjitha rekordet e thyera dhe aty bie në sy futbollisti i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, i cili realizoi golin më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane. Duhet theksuar se Bajrami shënoi golin më të shpejtë në këtë Europian, të paktën deri tani dhe vështirë se thyhet edhe për shumë vite si rekord, por nisja në atë ndeshje, me gol që në sekondat e para ishte diçka magjike por edhe që nuk solli ndonjë përfitim, pasi ekipi humbi 2-1 përballë Italisë. Gjithsesi, performanca cilësore e Bajramit në këtë Europian ka qenë një nga gjërat e mira të Shqipërisë. Ishte padyshim një mesfushor me tipare ofensive që la mbresa në fushën e lojës.
Ja rekordet e thyera:
Goli më i shpejtë në EURO: Nedim Bajrami (Shqipëri) — 23 sekonda
Lojtari më i ri ndonjëherë: Lamine Jamal (Spanjë) – 16 vjeç 338 ditë
Trajneri më i ri ndonjëherë: Julian Nagelsman (Gjermani) – 36 vjeç 327 ditë
Kapiteni më i ri ndonjëherë: Dominik Szoboszlai (Hungari) – 23 vjeç 243 ditë
Lojtari më i vjetër ndonjëherë: Pepe (Portugali) – 41 vjeç 117 ditë