Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Për të dhënë një ide të përgjithshme, për dëshmorët dibranë të rënë në rreshtat e DIS, po riprodhojmë disa episode të nxjerra nga “Historiku i BrIVS”. Në pasditen e 28 qershorit 1944, BrIVS vazhdoi lëvizjen në drejtim të krahinës së Gollobordës. Fshatarët e Zabzunit, Stëblevës, Sebishtit etj., dolën dhe pritën me respekt e dashuri partizanët. Fshatarët e Okshtunit të Vogël dërguan përfaqësuesit e tyre dhe i ftuan partizanët t’u shkonin menjëherë në fshat. Luftëtari Gaqo Çollaku pyeti pranë një shtëpie se ku e kanë shtëpinë prindërit e dëshmorit Sabri Sadik Caka? Burrë e grua sa dëgjuan emrin e birit të tyre të dashur, iu mbushën sytë me lot. Ata u përgjigjën: – Bash në shtëpinë e Sabriut jeni, unë jam baba dhe ajo është nëna e Sabriut.
Ndërsa shkrimtari partizan Haki Stërmilli, në ditarin e tij më 2 korrik 1944, shkruan se “Gjithë katundet, janë gëzuar nga mbërritja e ushtrisë sonë çlirimtare. Tashmë e ndjejnë veten e tyre të lirë e të lumtur”. BrIVS, në bashkëveprim me dy batalione të BrIS, çliroi të gjithë fshatrat e Gollobordës dhe kudo partizanët u pritën me dashuri e respekt. Përfaqësuesit e fshatarëve të Zerqanit, Sopotit, Strikçanit, Valikardhës etj., së bashku me komandën e brigadës përgatitën planin e mësymjes, kundër forcave armike që ishin përqënduar kryesisht në Varret e të Vrarëve dhe në Zerqan. Komisari i b2p në një informacion shkruan: “Më 2 korrik, kur batalioni sulmonte para Zerqanit, dolën fshatarët me daulle dhe i pritën partizanët, duke i përqafuar dhe brohoritur: “Rroftë Ushtria Jonë”!, “Rrofshin partizanët”! etj. Me çlirimin e Zerqanit qendër, BrIVS korri një fitore të rëndësishme politike e ushtarake, si dhe kishte në kontroll rrugën Peshkopi-Bulqizë-Burrel. Duke e vlerësuar këtë, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së në një komunikatë të posaçme jepte sihariqin: “Zerqani u çlirua prej forcave të BrIVS”.
Operacioni për çlirimin dhe mbrojtjen e Peshkopisë
Në pasditën e 13 korrikut, Shtabi i Divizionit, në mbështetje të urdhërit të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxhës, që krerët e Dibrës duhet të shpartalloheshin ushtarakisht e politikisht, mori vendimin që BrIV dhe e BrVS, të lëviznin nga rajoni i Kaptinës së Martaneshit, i Shëngjergjit dhe i Matit për në Sllovë e që aty, pasi të vendosnin lidhje edhe me BrIS të fillonin operacionin për çlirimin e Peshkopisë. Në revistën “Zëri i Luftëtarit”, në një shkrim ku flitet për arritjet e mëdha në tri ditë luftimesh shkruhet: “… BrIVS çliron me një shpejtësi të rrufeshme rajonin që shtrihet prej Sllove deri në Kastriot… Veprimi ynë u krye me shpejtësi e taktikë të zgjuar sa që reaksioni nuk mundi të organizohet dhe të sjellë as edhe pengesën më të vogël”. Në një raport për shtabin e brigadës Xhafer Lubonja, shkruante: “Lufta është e rreptë dhe vazhdoi disa orë. Kudo zjarr e flakë, krisma bombash, krisma pushkësh e mitralozësh e midis kësaj zërat e shokëve partizanë që hidheshin mbi armikun për të shfryrë urrejtjen e tyre”. Edhe forca të b2p, natën e 1-2 gushtit, sulmuan për 2 orë rresht armiqtë rreth kazermave. Në këtë sulm ra Xhetan Muharrem Fojka nga Zimuri i Peshkopisë. Me urdhër të KIS, më 2 shtator 1944 u transferuan nga BrXIIIS, rreth 200 partizanë nga Dibra, Martaneshi dhe Çermenika në BrIVS. Në dy javët e para të shtatorit hynë vullnetarisht dhe 119 partizanë, nga Reçi 42, nga Lura 19, nga Sllatina 9, nga Arrëmolla 9, nga Dardha 35 e nga Mustafa 6. Brigada, me rreth 400 partizanë të rinj, u bë një brigadë e Korçës dhe e Dibrës. Midis partizanëve vullnetare ishin edhe vajzat Rukie Roshi dhe Drita Barçi (Kroi). Me rritjen e efektivit, shtabi i brigadës (13 shtator 1944) urdhëroi organizimin e k4p në çdo batalion. Partizanët e BrIVS në kodrat e qytetit ku kishin luftuar një muaj më pare, vendosën tufa me lule në varret e shokëve të rënë Demir Hasani, Llazi Shuli, Zenel Subashi e Feti Agastra. Me urdhër të shtabit të brigadës, nga b3p u dërgua një kompani nga qyteti i Dibrës në Ostrenin e Madh, ku u organizua një miting ku foli zëvendëskomisari i batalionit Milo Qirko. Këtu dolën 20 vullnetarë dhe u dorëzuan 200 xhandarë me komandantin e tyre, ku disa xhandarët hynë vullnetarisht në radhët e batalionit.
Duhet me e sulmue dhe me e marrë me çdo kusht Tiranën
Shtabi i KIS në bazë të urdhërit të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, i vuri detyrë DIS organizimin e zhvillimin e operacionit mësymës për çlirimin e Tiranës, ku BrIVS ju caktua sektori i veprimit në Jug e Juglindje, nga Kodrat e Sharrës, mbi kazermat e “Ali Rizait” (Qyteti i Nxënësve), deri në Sauk. Në veprimet e para luftarake brenda në Tiranë, ra duke luftuar trimërisht partizani Mehmet Nuredin Ajazi, nga Trebishti. Në thyerjen e sulmit gjerman në Sauk ranë duke luftuar me trimëri, Gani Ibrahim Hoxha dhe Shaqir Adem Xhani, të dy nga Zdrajshi.
Forcat armike në Vorë e në Prezë diktuan lëvizjen e forcave partizane në drejtim të Prezës. Në orën 5.30 të 15 tetorit, armiqtë, të përqëndruar në Prezë, hapën zjarr përpara se forcat partizane të kalonin në mësymje. Luftimet u zhvilluan të ashpra e në afërsi. Duke bërë zjarr me mitraloz bie partizani trim Myslym Abdulla Tola nga Ostreni i Madh. Në Kashar ranë në luftimin e afërt e të ashpër, e reja komuniste Rukie Roshi, si dhe partizanët Hysni Bajram Ndreu nga Sllova, Arif Mustafa Haxhiaj, Njazi Zenun Seferi, Bajram Arif Kasa, të tre nga Trebishti.
Urdhëri nga Komanda e Përgjithshme ishte “Duhet me e sulmue dhe me e marrë me çdo kusht Tiranën”. Në luftimet e zhvilluara natën e 29-30 tetorit, nga forcat e brigadës ra duke luftuar me trimëri Muharrem Sabri Sinani nga Trebishti dhe u plagosen 14 partizanë e kuadro, disa prej të cilëve rëndë. Formacioni luftarak b1p natën e 1-2 nëntorit, sulmoi me tri kompani në Kishën e Shën Prokopit dhe në Tiranën e Re. Luftimi vazhdoi i ashpër për gati gjysëm ore. Ranë gjithashtu duke luftuar me trimëri Maliq Imer Topuzi nga Lashkiza e Peshkopisë. Kurse të b5p luftonte në kazermat e “Ali Rizait”, ku u plagos rëndë Shaban Haxhi Muço nga Dovolani i Peshkopisë, dhe vdes pas 24 orëve në spital, nga tri plagët të rënda duke qëndruar i papërkulur nga dhimbjet. Ranë më pas dhe partizanët Xhetan Ramadan Laçi nga Muhurri i Peshkopisë e Rexhep Ramadan Oshafi nga Gjonoveci.
Natën e 6-7 nëntorit, forca te b5p mësynë në kazermat e“Ali Rizait” e Kodrën Shën Prokopit. Në këto luftime ranë partizanët Shaban Haxhi Muça nga Bllata e Sipërme e Peshkopisë. Forca të b2p po atë natë, sulmuan Kodrat rreth Urës së Farkës, ku nga batalioni ra partizani Hysen Haxhi Gjeci nga Mashica e Peshkopisë. Në urdhërin e 7 Nëntor që u dërgoi batalioneve theksohej: “Sulmoni parreshtur armikun, futuni në afërsi të tij, … për të marrë masat e duhura lidhur me sulmin vendimtar për asgjësimin e plotë të qëndresës së armikut në objektet e fortifikuara”. Në këtë sulm ra partizani trim Shyqyri Haxhia, nga Homeshi i Peshkopisë. Ndërsa forcat b2p sulmuan Kishën e Shën Prokopit. Partizanët me granata sulmuan në frëngjinë e fortinës mitralierin armik, të cilin e asgjësuan. Në sulm ra partizani Ziver Mehmet Haxhia nga Muhuri i Peshkopisë. Në sulmin e vrullshëm e heroik për kapjen e një fortese në Kishën e Shën Prokopit; komunisti Guri Thanasi, komandant toge, ra duke sulmuar nëpër shkallët e një pallati për asgjësimin e gjermanëve që ishin brenda Ali Ali Ajazi nga Arrëmolla e Lurës, komandant skuadre; i riu komunist Shaqir Sala nga Allabej i Peshkopisë; i riu komunist Zenun Hysen Abdija nga Trebishti i Peshkopisë; i riu komunist Bajram Avdulla Cara, komandant skuadre nga Trebishti i Peshkopisë; dhe i riu komunist Shaban Hoxha nga Reç-Dardha. U plagosën edhe 24 partizanë e kuadro Ramadan Ganiu nga Moglica, Mustafa Besimi nga Tirana, Kristo Spiro nga Korça, Mazllëm Dalipi dhe Kadri Mullaj, të dy nga Vishocica, Lisaveta Bogadini nga Drenova, si dhe Avdulla Ajdini nga Klenja e Peshkopisë etj. Forcat e brigadës shtriheshin nga pallatet “Moskat” deri në “Shallvaret”. Duke drejtuar nga afër, në vijën e parë të sulmit e duke luftuar edhe vetë si qitës i përpiktë, partizani Hysen Haxhi Gjeci nga Mazhicë e Peshkopisë dhe u plagosën Sotir Naqe Xheku dhe Aqif Myrtezaj nga Ostreni i Madh i Peshkopisë. Në Betejën e Mushqetasë, në luftimet e 12 nëntorit ranë 4 partizanë: Hajdar Rexhep Stojka nga Lejçani, Demir Bajram Sejdini nga Ostreni i Madh, si dhe dy partizanë armenë.
Në luftimet e datës 14 e 15 nëntorit, ranë duke luftuar me trimëri Veiz Haxhiu nga Muhuri i Peshkopisë; Selim Ndreu nga Zall-Dardha e Peshkopisë e Rahman Haxhia nga Trebishti i Peshkopisë. U plagosën rëndë dhe pas disa ditësh vdiqën sepse i kapi tifua, komunisti Nazmi Ismail Venetiku; Hasan Koçi nga Trebishti i Peshkopisë dhe Dine Vano Bajrami nga Tuçepi. Shefqet Musaraj ka shkruar në një reportazh: “Po të krahasojmë shpartallimin që pësuan hitlerianët në betejen e fundit, e cila dha çlirimin e kryeqytetit, me atë që pësuan në Mushqeta, kjo e fundit ia kalon. Nuk kanë pësuar asnjë asgjësim të tillë hitlerianët në vendin tonë… Kur kalon andej nuk të besohet të kenë qenë vetëm 2-3.000 ushtarë armiq. Në bazë të materialit luftarak dhe të mjeteve transportuese, llogaritet të paktën një divizion gjerman i motorizuar… Çuditesh, si qe e mundur të shpartallohen të gjitha këto forca vetëm nga tre batalione të BrIVS… Beteja e Mushqetasë është e rrallë në çdo pikëpamje”. Brigada pati 17 të vrarë e mbi 60 të plagosur. Gjatë ditës së 16 nëntorit, forcat e brigadës shtypën qëndresën e armiqve në Kishën e Shën Prokopit dhe në disa pallate të vogla në Tiranën e Re. Në luftimet e datës 16 nëntor, nga b5p ra duke luftuar me trimëri partizani Tefik Adil Tola nga Ostreni i Madh i Peshkopisë. Në mëngjesin e 17 nëntorit, kryeqyteti i atdheut tonë të dashur Tirana, u çlirua. Nëpër rrugë vërshoi populli që përqafohej me partizanët dhe gëzonte lirinë për të cilën, për 5 vjet me rradhë derdhi gjak e bëri sakrifica të panumërta.
Enver Hoxha, në përshëndetjen drejtuar popullit të Tiranës, me rastin e çlirimit të kryeqytetit shkruan: “Në luftën e përgjakshme rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi kundër një armiku të vendosur e të egër, të armatosur me mjete moderne, vullneti i hekurt i ushtrisë sonë dhe i popullit të Tiranës triumfoi”. Brigada luftoi për çlirimin e Tiranës nga 1 tetori deri 16 nëntor 1944. Ajo kreu goditje e sulme nga Qafë Kërraba në Tiranë, nga Peqini në Rrogozhinë, nga Shijaku në Vorë si dhe brenda në Tiranë. Që nga krijimi deri në çlirimin e Tiranës, nga radhët e brigadës ranë 248 partizanë e kuadro. Nga 98 dëshmorë të rënë rreth e brenda Tiranës të BrIVS, ku 46 ishin nga Dibra. Kështu u luftua për çlirimin e vendit nga bijtë dibranë… Heroizmat e partizanëve nuk përshkruhen dot. Ato janë të panumërta e të larta. Populli atyre u këndon këngë lavdie. Të gjithëve na bie barra të përjetësojnë heroizmin e partizanëve, heroizmin e dëshmorëve, të cilët në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimatare shkruan faqe të shkëlqyera në historinë e lavdishme të saj.