Një punonjës policie është vënë në pranga ditën e sotme nga AMP. Sipas njoftimit të policisë arrestimi i tij ka ardhur pasi polici me detyrë përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë iu gjetën 49 steka të papajisura me pullën fiskale.
Mësohet se stekat janë gjetur pas kontrollit të automjetit “Mercedes Benz” të policit, me të cilin po lëvizte nga pika e kalimit kufitar Qafë Botë në drejtim të Sarandës. Stekat dyshohet se janë të kontrabanduar dhe vlera e tyre shkon rreth 3500 euro.
Mësohet se janë kryer kontrolle edhe në dyqanin e policit ku janë gjetur edhe disa qese me duhan pa pullë fiskale. Gjithashtu n njoftim thuhet se polici gjatë kohës që ka qenë me shërbim kalonte këto mallra kontrabandë për të furnizuar biznese të ndryshme në Sarandë, në një vlerë që përllogaritet të jetë rreth 10,000 euro në muaj nga shit-blerja e mallrave.
Njoftimi i plotë:
Vlorë – AMP arreston një punonjës policie në PKK Qafë Botë, të dyshuar për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka finalizuar operacionin “Stekat”, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale, duke arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë B.H., me detyrë përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë, pasi gjatë kontrollit të automjetit “Mercedes Benz”, me të cilin po lëvizte nga pika e kalimit kufitar Qafë Botë në drejtim të Sarandës, ju gjetën 49 steka të papajisura me pullën fiskale, të dyshuara kontrabandë, me një vlerë rreth 3500 euro.
Nga kontrolli i një dyqani në pronësi të këtij shtetasi u gjetën edhe disa qese me duhan pa pullë fiskale. Nga hetimet e deritanishme të ndjekura nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka rezultuar se ky punonjës policie në mënyrë periodike, gjatë kohës që ka qenë me shërbim në PKK Qafë Botë, kalonte këto mallra kontrabandë për të furnizuar biznese të ndryshme në Sarandë, në një vlerë që përllogaritet të jetë rreth 10,000 euro në muaj nga shit-blerja e mallrave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan stekat me cigare kontrabandë, qese plasmasi me duhan pa pullë fiskale, 2 telefona celularë dhe automjeti tip Mercedez Benz që shërbente për transport. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.