Nga Bardhyl Ermini (Bejo)
Tek ne, a thua se jemi në ndonjë vend të izoluar andej nga “Saharaja afrikane”, politika ushtrohet nëpërmjet një praktike të shëmtuar e primitive. Individë, grupe e parti politike, bëjnë thirrje kundër pushtetit me një fjalor tmerrësisht të lodhshëm e të konsumuar. Emërtimi i Edi Ramës si “kapobandë e drogës dhe pastrimit të parave apo si “kryehajdut” i votave, është kthyer në një pasaportë me të cilën mund të zbresësh nga avioni “bombardues” i luftës për pushtet, pa e munduar veten të japësh argumenta reale ekonomike dhe politike për ta merituar atë. Klasë e pështirë, pas të cilës hiqet zvarrë edhe një tjetër brez i ri politik, i cili ta shpif kur i dëgjon duke konsumuar demagogjinë e vjetër me të cilën janë ushqyer, frika ndaj përdhosësve të vërtetë të demokracisë dhe servilosja e pështirë. Paaftësi, administratë e korruptuar, nepotizëm, vjedhje, krim, drogë, pastrim parash, etj. Kjo lloj gjuhe tashmë, përveçse e lodhshme dhe e konsumuar është bërë kaq e zakonshme sa gjithçka duket normale. Aprovohen ligje radhë ku nuk e merr vesh i pari të dytin, bëhen seanca parlamentare ku dhuna zëvendëson komunikimin politik, bëhen revolta pa objektiv përveç zjarrit dhe bombave molotov, dhe në mbrëmje nëpër ekrane të mara fund, detyrohemi të dëgjojmë plot budallallëqe përgjithësisht nga lloj-lloj fytyrash “kritike”, të cilët i bashkon demagogjia e injoranca. Dhe ditët zënë njëra tjetrën, nën rënkimin e një vendi që nuk e di se ku është dhe nga po shkon, përveç faktit që zgjedhjet e radhës i … mbetën në dorë përsëri zotit Edi Rama. Si është e mundur? Si është e mundur që nuk ka opozitë të vërtetë? Si? Fare e thjeshtë! Sepse kjo gjendje është rezultat i lojës primitive të politikës apo më mirë i politikanëve tanë abuzues deri në paturpësi. Ata, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë se kanë dalë jashtë kohe. Duke përvetësuar “familjarisht” tezën se investimi më i mirë për të fituar është të merresh me politikë, janë futur aty me të gjithë forcën e shpirtit të tyre të përtharë nga humanizmi dhe nga ndershmëria, në se me këtë fjalë përmbledhim përpjekjet për drejtësi e barazi shoqërore. Boll të shash e sajosh episode dhune dhe qytetarët “do të binden” për të votuar ndërrimin e pushtetit. E quajnë se populli nuk është gjë tjetër përveçse një tufë me “injorantë” që nuk kuptojnë, por vetëm jetojnë për llogari të atyre që duan të ndërrojnë vetëm ngjyrën e karrigeve të pushtetit. Pa e kuptuar aspak se në demokraci pushtetet zëvendësojnë njeri tjetrin vetëm kur sasia kthehet në cilësi, vetëm atëhere kur pushteti i ardhshëm e mohon cilësisht atë që zëvendëson. Cili është mekanizmi, argumentet politike dhe ekonomike, nëpërmjet të cilave “opozita” do të “fitojë zgjedhjet përballë regjimit të dështuar të Edi Ramës”? Po i rendisim më me hollësi këto argumente, pasi janë tepër “të rëndësishme” nga pikëpamja ekonomike dhe shumë “të thella” nga ajo politike. Së pari “paaftësia dhe administrata e korruptuar”. Dhe kush e thotë këtë pyet qytetari i thjeshtë? E thotë “nona e korrupsionit”, ai që e katandisi drejtimin e shtetit në drejtimin e interesave të veta familjare, duke implikuar në të, deri edhe në Këshillin e Mbrojtjes, persona me një qëndrim dhe histori armiqësore me Shqipërinë. E thotë ai që “mbolli” gjyqësorin nën hijen e plepave të Golemit, ai që mbushi administratën dhe policinë e shtetit me militantë partiakë, me elementë negativë e të dështuar të administratës “ish komuniste”, me diletantë injorantë e falsifikatorë. Jo, qytetari nuk do që t’i dëgjoj zërin këtij drejtimi e kësaj administrate. Për të, më mirë “vezën” e sotme se sa “pulën” e rrjepur e të gënjeshtërt të së nesërmes. Së dyti “vjedhje e pastrim parashë të pista”. Por kush na premtuaka të kundërtën se! Ai që i batërdisi shqiptarët në 97-ën e tmerrshme, ai që e ktheu privatizimin e ekonomisë në një garë batakçinjsh, në një katrahurë që do të përkujtohet përherë siç ligji famëkeq 7501, i cili gjatë zbatimit të tij u kthye në një luftë për pushtim pronash dhe pasurimin e banditëve politikë, për deformimin e krejt vendit nga një atdhe të shtrenjtë, në një tokë të “djegur”, i cili nuk do të arijë të përtërihet dot edhe pas njëqint vitesh. Po pse çfarë e kujtoni ju zotërinj “opozitarë” qytetarin? Pse i duhet atij të pranojë këta lloj hajdutësh të ndyrë? Jo, më mirë për të janë këta “skuthat” e sotëm, të cilët sidoqoftë e njohin frikën. Së treti “nxitje e drogës dhe krimit, qeveria e drogës dhe e krimit”. Dakort! Janë kapur në fakt ministra, kryetarë bashkish dhe drejtorë e janë futur në burg. Por çfarë çudie! Kush e bën këtë akuzë? E bën ai, shkaktari kryesor që u vranë rreth 3500 djem me armët që ju a la në dorë, më i tmerrshmi i historisë të pluralizmit shqiptar, ai që ngriti avionë me qëllim që të bombardonte e të helmonte krahina të tëra të jugut, ai që të vriste në mes të bulevardit, që të mbyste burgjeve politike, që hidhte në erë fshatra duke i bërë pre të fitimeve të tij kriminale, ai që bën edhe sot thirrje për luftë e për revolucion turmash, ai që për hir të pushtetit të vet të vret e të pret, të shet e të blen si në pazar të bagëtive. Jo mor vëlla, nuk ja ka ngenë më qytetari i thjeshtë këtij e këtyre monstrave. Mbyll një sy e jepu votën “zorraxhinjve” të sotëm. Të paktën këta “të vjedhin”, por nuk të vrasin si qen. Përgjithësisht kjo është klima politike që mbizotëron dhe mentaliteti i qytetarit që voton, e atij që kupton gjithçka, por që ka në dorë vetëm një “atu”, votën, e cila shpesh i është kthyer nga një mjet fitoreje në një gënjeshtër, me një fuqi të tillë “magjike” që ka gënjyer edhe … vetë atë qytetarin. Demagogji, gënjeshtër e luks i rremë, ja kështu ka dashur politika jonë të ndërtojë themelet e të ardhmes të vendit. Dhe ç’është e vërteta ja ka arritur. Ja ka arritur duke e përjashtuar qytetarin e thjeshtë nga lufta për zhvillim, duke e futur atë në dyert e botës të frikshme të varfërisë e të pasigurisë, në mjegullnajën e theqafjes e mungesës të perspektivës, në mungesën e plotë të alternativave demokratike. Ai, qytetari ka sot vetëm një mundësi, “levën” e mashtrimit, të zgjedh më të mirën ndër të këqijat. Sepse nuk ka asnjë lloj mundësie tjetër. Dhe tani, mendoni për një moment : qytetari përjashton nga listat e veta p.sh. Edi Ramën, Ballukun, Ballën, Gjiknurin, Klosin, Spiropalin, Braçen etj. dhe në vend të tyre të vendosë Sali Berishën, Bardhin, Nokën, Vokshin, Salianjin, Palokën, Balliun etj! Thjesht të vjen nëpërmend të këndosh një varg popullor të rëndomte por tepër domethënës, “vare veten me litarë o Dino”. A mund të vazhdojë kështu ky qytetari “ynë”? Të paktën edhe pesë vite të tjera po, kështu do të vazhdojë, do të vazhdojë të zgjedh më të mirin e të këqinjve! Kjo është rezultati i jo më pak se dhjetë viteve të një opozite, e cila në mënyrën më injorante të mundshme ka bërë një luftë donkishoteske me fraza e pa ide, me urrejtje e jo me urtësi, me dhunë e jo me demokraci dhe mbi të gjitha me një antiamerikanizëm demagogjik të hapur e të çuditshëm, të brumosur në degradim moral dhe financiar. Lëvizjet e ndodhura kohët e fundit, pas gjykimit “jashtëzakonisht profesional” juridik të përkatësisë të vulës të PD, kanë nxjerrë në pah “diçka” pozitive. Fakti që shumica e parlamentarëve “opozitarë” bëjnë sikur nuk e kanë “kuptuar” se historia e vulës dhe e ndarjes të tyre në “grimca” ka ndodhur 100 përqind për shkak të faktit “non grata” të Berishës (armiqësimit të tij me administratën e shtetit) e jo të dobësive apo moskonseguencave të Lulëzim Bashës, ka bërë një “sitje” racionale. Demagogjia e miqësisë me SHBA, nëpërmjet të cilës parlamentarët “demokrat” përpiqen të maskojnë frikën nga Berisha, servilizmi i pështirë dhe degradimin e tyre politik, kanë bërë që të faktorizohet fare qartë se kush janë ata që nuk duhet të të dalin më në skenën politike, ata që kërkojnë “PD – në e vërtetë” apo më saktë emrin në listën e parlamentarëve parazitarë. Dy janë mundësitë e vetme në këtë ambient të “damllosur”. Opozita më reale që mund të konsiderohet sot e mundshme në kushtet e demokracisë tonë, është bërthama që përfaqëson zoti Alibeaj me kolegët e vet dhe me bashkimin e tyre me të tjera figura të përngjashme në pikëpamje, si zotërinjtë Astrit Patozi, Dash Shehu etj. Ose, ose … një zgjidhje tjetër alla shqiptarëshe nuk është e pamundur. Gjatë mandatit tretë të zotit Rama, të cilën tashmë ai e ka në “xhep” dhe nën frymëzimin e rrugës të tij ideologjike të “përtej të majtës dhe të djathtës”, le të presim investimin e tij për përtëritjen e … PD (partisë të rinisë të vet), si opozitë e të ardhmes dhe alternativë për të fituar në 2030, pas të cilës ai mund të dorëhiqet i qetë për të vazhduar pikturat e tij të lëna përgjysmë. Për të mos u dukur si çudi, disa elementë të tillë kanë filluar të duken. Rrugë tjetër edhe për një “epokë” nuk duket më!
E papritur/ Ndahet çifti i shumëpërfolur i Big Brother Vip 3
Pas mbarimit te BBV, u ve re mes nje afrimiteti mes Drini Zeqos dhe Dea Vierit. Shpesh ne rrjet u...
Lexo më shumë