Ish-drejtuesi i Policisë, Arben Hajdarmataj, sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS dhe daljen e të dhënave të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, e paralelizon me një dëm të madh, ku qytetarët humbin besimin për të bashkëpunuar me policinë.
Në studion e MCN Live, ai deklaroi se fatkeqësisht situata për sa i përket informacionit në Policinë e Shtetit, zinxhirit, mënyrës si komunikohet për aktivitetet kriminale, është shumë e keqe.
“Unë e shoh në dy aspekte, në aspektin e besueshmërisë brenda institucionit dhe besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të Policisë së Shtetit.
Policia punon në bazë të informacioneve që merr nga qytetarët apo bashkëpunëtorët. Në momentin që këto të dhëna, siç ka dalë për zotin Gledis Nano, në ato momente që kanë dalë të dhënat, Nano ka qenë drejtor i Anti-terrorit, jo kur ka qenë drejtor i Policisë së Shtetit.
Është problem humbja e besueshmërisë, se informacioni merret, përpunohet dhe shqyrtohet, kjo është pjesa që humb zinxhiri i besueshmërisë. Humb besueshmëria tek qytetarët.
Kemi informacion aty për një person shumë të kërkuar, Talo Çela, ku jepet informacion, se është në hotel.
Më e keqja është se ai person që ka dhënë këtë informacion, nuk është më i mbrojtur dhe nuk është më anonim, kështu që qytetarët nuk kanë më besim që të japin informacion për policinë, sepse gjenden përpara një fakti që bëhen publik.
Nuk e dimë se deri në çfarë shkalle janë hakeruar se nuk kemi një të dhënë zyrtare që të na e shpjegoj se deri ku jemi goditur nga hakimi.
Secilit që bashkëpunon me policinë, i lind e drejta që të jetë me gjithë sensorët e ngritur që të shohi se mos i del emri.
Policia, SHISH, dhe Prokuroria, Shërbimi informativ i Ushtrisë, të gjithë punojnë nëpërmjet bashkëpunimit me qytetarët dhe strukturat. Kjo është gjëja më e keqe.
Sistemi TIMS është një sistem ku interferojnë shumë sisteme dhe të dhëna të tjera, jo vetëm hyrje-daljet e qytetarëve. Ka informacione për persona me aktivitet kriminal.
Ka shumë gjëra të tjera që ne nuk e dimë se deri në çfarë mase jemi hakuar”, u shpreh Hajdarmataj.
Ndërsa urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e publikimit të të dhënave të dala nga sulmi kibernetik, e cilëson si të pabazuar në ligj.
Hajdarmataj duke cituar Kodin Penal tha se nuk ka të bëjë me gazetarët dhe atë që merr informacione me punonjësin që ka për detyrë të ruajë sekretin.
“Gazetarët duhet të kenë burime të sakta, nuk mund të hamendësojnë apo publikojnë dhe interpretojnë. Nuk besoj se një urdhër i tillë është mbështetur në ligj.
Nëse do merret nga një media e huaj, ne kemi mundësinë të lexojmë dhe mediat e huaj, edhe po nuk e mora te MCN për shembull, por tek media të huaja.
Ndalimi është ndoshta një farë presioni nga vetë qeveria, që u bën mediave, për të minimizuar sadopak. E cilësoj si vendim abuziv”, u shpreh në fjalën e tij ish drejtuesi i Policisë.