Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, është shprehur se rezultati i “PISA-s” për arsimin në Shqipëri nuk ishte i pritshëm.
Tafaj tha se raporti i “PISA-s” e nxori shumë më keq arsimin në Shqipëri, në raport me raportet e një agjencie në vend që merret me këto statistika.
Ai tha se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e nivelit të arsimit në vend, përfshi edhe pandeminë Covid-19.
“Rezultati nuk ishte i pritshëm. Në Shqipëri është një agjenci që çdo vit prodhon raporte për arsimin. Në këto raporte në vitet e fundit kanë qenë raporte të mira, kanë rezultuar në një shkallë të mirë objektiviteti të gjitha problemet e arsimit. Nuk e prisja këtë rezultat të “Pisa”.
Në raportin e 2021 që prodhoi Banka Botërore, thuhej që efekti i pandemisë bëri që diferenca në rezultatet e nxënësve të zonave rurale nga ato urbane, është thelluar edhe tre muaj të tjerë.
Pra nga 1,6 vite kishte shkuar në dy vite shkollore. Tani erdhën këto rezultate dhe këto nuk janë fare rezultate të mira.
Unë do të thosha që përveç pandemisë, ne duhet të konsiderojmë që ky brez i 15 vjeçarëve të tanishëm, ka filluar me një kurikul tjetër, domethënë në këtë testim matematika ka qenë në fokus. Tani po testohet me Pisën dhe ne kemi ulje të aftësive të nxënësve”, është shprehur Tafaj.