Tensionet janë rritur sërish në veri të Kosovës, ku një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e një sulmi me armë në Leposaviç, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Nga kjo ngjarje e rëndë, ka humbur jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i Policisë Kufitare.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 24 shtatorit. Raportohet se dy persona të maskuar i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Bunjaku.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku bëhet polici i dytë i Republikës së Kosovës që vritet në veri të vendit, ndërsa në vitin 2011 Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë ra në krye të detyrës. Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.