Shumë profeci dhe mësime ka lënë si trashëgimi Henry Kissinger. Diplomati, shkencëtari politik, konsulenti gjeopolitik dhe politikani i famshëm amerikan, i cili shërbeu si sekretar i shtetit dhe këshilltar për sigurinë kombëtare në administratat presidenciale të Richard Nixon dhe Gerald Ford, dhe që la gjurmë të pashlyeshme në politikën e jashtme amerikane, vdiq të mërkurën në moshën 100-vjeçare, në shtëpinë e tij në Konektikat, njoftoi kompania konsulente Kissinger Associates. Një nga komentet e tij të fundit, siç raportohet nga Federico Rampini në Corriere della Sera , daton në 5 tetor, dy ditë para sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Duke folur në institutin “Council on Foreign Relations” në Nju Jork, ai foli për luftën e Yom Kipur që kishte shpërthyer 50 vjet më parë, duke dhënë një mesazh shprese, thelbësor për konfliktin që po zhvillohet sot. Megjithatë, fjalët edhe mendimet e tij, mesa duket do të peshojnë rëndë në mendjet e liderëve botërorë, sidomos tani.
Izrael-Hamas
“Akti i hapur i agresionit i Hamasit duhet të përballet me ndëshkim. Pjesërisht, kjo është pasojë e mendimit të Hamasit se me mbështetjen e vendeve fqinje, dhe mosveprimin e të tjerëve, përfshirë Evropën mund ta bëjë një gjë të tillë pa pësuar pasoja të rënda”, tha Kissinger. Ai paralajmëroi për potencialin e përshkallëzimit të rrezikshëm në rajon. Kur u pyet se cili ishte, sipas tij, qëllimi kryesor i Hamasit, ai tha se ishte mobilizimi i botës arabe kundër Izraelit. Ai paralajmëroi për rrezikun e Iranit dhe akumulimin e armëve në Liban që mund të përdoren kundër Izraelit. Konflikti në Lindjen e Mesme mbart rrezikun e përshkallëzimit, theksonte Kissinger, duke kujtuar mësimet e nxjerra nga Lufta e Yom Kippur e vitit 1973, gjatë së cilës një koalicion arab i udhëhequr nga Egjipti dhe Siria sulmoi Izraelin. “Në atë kohë, bota ishte me fat që kishte një udhëheqës arab me vizion për të ardhmen, me të cilin mund të lidhej paqja”, tha Kissinger, duke theksuar se nuk beson që Hamasi ka një personalitet të tillë sot. “Besoj se Hamasi duhet të përjashtohet nga skena politike”, tha diplomati në një nga intervistat e tij të fundit.
SHBA-Kinë
Rampini kujton më pas misionin e tij të fundit në Pekin në korrik dhe nënvizon: “Nëse samiti i fundit midis Joe Biden dhe Xi Jinping në San Francisko shënoi një armëpushim në përshkallëzimin e tensionit, ndoshta një pjesë e vogël e meritës i shkon edhe atij udhëtimi të Kissinger.” Në fakt, në të kaluarën, Kissinger i kishte paralajmëruar amerikanët kundër fillimit të një lufte të re të mundshme të ftohtë: “Ajo do të ndalonte përparimin në të dy anët e Paqësorit, do të përhapte tensione në çdo rajon të botës”.Sipas tij, fati i njerëzimit varet nëse Amerika dhe Kina do të jenë në gjendje të punojnë së bashku. Ai besonte se përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale u lë atyre vetëm pesë deri në dhjetë vjet për të gjetur një mënyrë për ta arritur këtë. “Disa në Kinë, dyshojnë se SHBA-ja nuk do ta trajtojë kurrë atë si të barabartë”, thoshte ai. Por Kissinger gjithashtu paralajmëroi kundër keqinterpretimit të ambicieve të Kinës. “Në Uashington, ata thonë se Kina dëshiron dominimin e botës… Përgjigja është se ata duan të jenë të fuqishëm,” sqaronte diplomati.
Rusi-Ukrainë
Kissinger tha gjithashtu fjalën e tij për luftën në Ukrainë: “Zelensky është një personazh i shkëlqyer. Por ai ende duhet të na shpjegojë se çfarë bote ai imagjinon pas luftës. Unë kurrë nuk kam thënë se Ukraina duhet të heqë një pjesë të territorit të saj kombëtar nëse dëshiron. Unë thashë se vija më e mirë ndarëse për një armëpushim është status quo-ja që i parapriu 24 shkurtit”. Duke folur për skenarët e ardhshëm, ai parashikoi një zgjidhje që do të ruante përfitimet e Rusisë që nga inkursioni i saj fillestar në Ukrainë në vitin 2014, kur ajo pushtoi gadishullin e Krimesë dhe pjesë të rajonit të Donbass. “Por unë nuk kam një përgjigje për pyetjen se si do të ndryshonte një zgjidhje e tillë nga marrëveshja që dështoi të stabilizonte konfliktin tetë vjet më parë”, përfundoi vitin e kaluar ish-sekretari amerikan i shtetit.