Javën e ardhshme, Bankat më të rëndësishme qendrore në Botë do të mbajnë mbledhjet e fundit të Bordeve vendimmarrëse për politikën monetare të vitit 2024.
Pas sinjaleve për një rënie më të shpejtë se pritshmëritë të inflacionit, analistët financiarë po shfaqin një vëmendje në rritje, në pritje të sinjaleve të mundshme për një lehtësim të politikës monetare, pas një periudhe dyvjeçare shtrëngimi i shpejtë.
Sipas analizës së fundit të Raiffeisen Research në Vienë, është e pritshme që Banka Qendrore Europiane (ECB) do të lërë të pandryshuara normat bazë të interesit në nivelin aktual. Aktualisht, norma e interesit të depozitave ditore të ECB-së është një nivelin 4%, ndërsa norma e instrumenteve kryesore të rifinanncimit është në nivelin 4.5%. Në fakt, veçanërisht të dhënat e inflacionit që janë publikuar së fundmi (2.4%) nën pritshmëritë e mëparshme të ECB-së, janë në favor të normave bazë të pandryshuara.
Megjithatë, në kushtet e rënies së inflacionit, ndoshta një interes më të madh do të kenë orientimet për të ardhmen ose forward guidance për tregjet.
Sipas Raiffeisen Research, gjasat janë që ECB-ja të ruajë orientimin e fundit, që shprehet se
se niveli aktual i normave të interesit shihet si mjaftueshëm shtrëngues.
Pritet gjithashtu që parashikimet e reja makroekonomike të tregojnë rishikime në rënie si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për perspektivën e inflacionit. Kohët e fundit, dizinflacioni (ulja e inflacionit) ka qenë më e fortë se sa pritej, pritjet për inflacionin kanë rënë dhe çmimet e energjisë gjithashtu.
Megjithatë, Raiffeisen Research pret që parashikimet e BQE-së të reflektojnë një kthim të qëndrueshëm në objektivin e inflacionit vetëm në vitin 2025. Mbështetur në këtë projeksion, analistët mendojnë se Presidentja Christine Lagarde do të jetë e prirur të refuzojë pritshmëritë aktuale shumë optimiste për ulje të afërt të normave të interesit.
Në fakt, çmimet në tregjet financiare aktualisht mbështetin projeksion se normat e interesit mund të ulen në mars të vitit të ardhshëm, megjithëse kjo bie ndesh me narrativën e deritanishme të Presidentes Lagarde për norma interesi më të larta, për një kohë më të gjatë. Euribori 12-mujor ka zbritur në nivelet më të ulëta të shtatë muajve të fundit.
Një skenar i ngjashëm projektohet edhe në SHBA. Edhe atje, tregjet vlerësojnë si skenar më të mundshëm një ulje të normës bazë nga Bordi i Rezervës Federale në mars 2024.
Deri në muajt e fundit, Rezerva Federale dukej edhe më e hapur se ECB-ja rreth mundësisë së një rritjeje të mëtejshme të normave të interesit. Megjithatë, edhe ekonomia amerikane në muajt e fundit ka pësuar një rënie më të shpejtë të inflacionit, ndërsa pritet që perspektivat e rritjes ekonomike dhe të punësimit të rishikohen në rënie.
Pavarësisht kësaj, Raiffeisen Research pret që edhe Kryetari Rezervës Federale, Jerome Powell, ta konsiderojë një ulje të normës së interesit në të ardhmen e afërt si të parakohshme dhe nuk priten ende sinjale të uljes së shpejtë të tyre.
Shqipëria, ende në ciklin ritës të normave
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do ta zhvillojë mbledhjen e fundit për këtë vit në javën pasaardhëse, më datë 20 dhjetor. Banka e Shqipërisë ka mbajtur këtë vit një politikë monetare më pak shtrënguese krahasuar me shumicën e bankave të tjera qendrore. Në fillim të nëntorit, norma bazë u rrit në 3.25%, por ngelet ende në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me ato të ECB-së.
Këshilli Mbikëqyrës pas mbledhjes së fundit shprehej se ulja e inflacionit në objektiv kërkon një rritje të mëtejshme të normave të interesit, duke paralajmëruar një rritje të mëtejshme gjatë muajve në vazhdim. Duke pasur nivele më të larta inflacioni dhe norma më të ulëta interesi, Shqipëria duket ende mbrapa në ciklin e normalizimit monetar në raport me Eurozonën.
Ndryshe nga sa ka ndodhur me ECB-në, besohet se rritja e normave të interesit nuk e ka arritur ende pikun, ndaj për momentin ideja e një uljeje të normave të interesit të lekut duket ende e largët.
Megjithatë, duke marrë në konsideratë shkallën e lartë të varësisë së ekonomisë sonë nga Eurozona, rënia e inflacionit në këtë zonë mund të ndryshojë edhe skenarët e pritshëm edhe për ekonominë tonë, duke bërë që minimalisht rritja e normave të interesit të jetë më e kufizuar.Monitori