Kuvendi miratoi sot nen për nen projektbuxhetin për vitin 2024, ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se bujqësia do të financohet në vitin që vjen me një buxhet prej 14.18 miliardë lekësh.
“Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të japë një ndikim pozitiv në ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme për bujqësinë shqiptare”, theksoi ajo.
Denaj renditi dhe disa nga programet që do të zbatohen vitin që vjen.
“Gjatë vitit që vjen do të zbatohen programet për rritjen e pagave, zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin, përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit, fuqizimin e sigurisë ushqimore, rritjen e financimit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit, si dhe këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerët”, deklaroi Denaj.