Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me ambasadorin e Italisë, në vendin tonë, Fabrizzio Bucci. Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u fol për projektet e përbashkëta Shqipëri-Itali në shërbim të fermerëve tanë. “Përmes projektit PROMAS të mbështetur nga qeveria Italiane, synojmë përmirësimin e zinxhirit të vlerës për vajin e ullirit, nga certifikimi i fidanëve deri në aplikimin e praktikave më të mira agronomike, për të përmirësuar cilësinë e prodhimit dhe produktivitetin, si dhe qëndrueshmërinë ekonomike të sektorit”, zbuloi ministrja Denaj këtë fundjavë në rrjetet sociale. Po ashtu, ministrja informoi se u ra dakord të rritet bashkëpunimi edhe në fushën e peshkimit, duke vijuar punën për lançimin e projektit të përbashkët “Blu Economy”, për ndërtimin e moleve të reja të peshkimit, përmirësimin e kushteve të tregut, higjenës dhe sigurisë ushqimore. “Projektojmë bujqësinë shqiptare me më shumë investime, teknologji moderne, ekspertizë dhe standarde për akses në tregje elitare me vlerë të lartë”, nënvizoi ministrja Denaj këtë fundjavë.